Koreja e Veriut duket se ka kryer një tjetër test raketash këtë të premte, kanë raportuar mediat në Japoni dhe Korenë e Jugut.

Raketa duket se ka rënë në ujëra japoneze, raportoi media publike e Japonisë “NHK”, duke cituar burime qeveritare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Yoshihide Suga tha se Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike në orën 11:42 të së premtes (ora lokale). Suga shtoi se raketa besohet të ketë zbarkuar në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë pas fluturimit për rreth 45 minuta.

Zona ku ra raketa raportohet se shtrihet rreth 230 milje nga bregu i Japonisë.

Në Uashington, një zëdhënës i Pentagonit, Navy Capt. Jeff Davis, konfirmoi se ishte zbuluar nisja e një rakete balistike nga Koreja e Veriut. Ai tha: “Ne po vlerësojmë dhe do të kemi më shumë informacion së shpejti”.

Në fillim të korrikut, Pheniani pretendoi se e kishte testuar me sukses një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) për herë të parë. Ky test ishte i fundit në një seri të kryer në kundërshtim me një urdhër-ndalimi të Kombeve të Bashkuara. Rrezja e testit të fundit nuk dihet.

Sipas disa ekspertëve, raketat e Koresë së Veriut janë në gjendje të arrijnë Alaskën.

Nëse konfirmohet, testi më i fundit do të ishte i 14-të i raketave, i kryer nga Koreja e Veriut në 2017-ën.