Ish-deputetët e PDSH-së, Orhan Ibrahimi, Imer Aliu dhe Bekim Fazliu kanë nisur një turne pushimesh në Kroaci, njofton INA. Ata janë shfaqur në disa qytete të bregdetit kroat, duke shijuar pushime të këndshme. Treshja e PDSH është fotografuar edhe me afaristë shqiptarë në Kroaci që kanë lokalet e tyre në qendrat turistike kroate.

Ibrahimi, Aliu dhe Fazliu ishin deputetë të përbërjes së kaluar parlamentare, ndërsa pushimet po i shijojnë me apanazhin që u takon nga rreth 1 mijë euro.

PDSH tanimë në Kuvend përfaqësohet nga Menduh Thaçi dhe Bardhyl Dauti, ndërsa kjo parti ka vendosur që të ngelet opozitë, por duke përkrahur projekte që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Numri një i PDSH-së, Menduh Thaçi këtë qëndrim e ka shprehur në takimin e fundit që e kishte me kreun e BDI-së.

“Sigurisht se ne mbajmë përgjegjësi për qëllimet strategjike të shqiptarëve si integrimi në NATO dhe BE si dhe avancimi i pozitës shqiptarëve në një piadestal. I thash zotit Ahmeti se ne do të vazhdojmë ta kultivojmë opozitën shqiptare, ani pse s’kemi shumë vota por ne kemi mandat dhe këtë mandat nuk do ta tradhtojmë. Por kjo nuk do të thotë që ne mos t’i harmonizojmë qëndrimet me pozitën shqiptare”, tha pas takimin Thaçi. I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e ekzekutivit, Thaçi tha se kjo nuk ka qenë pjesë e bisedimeve.