“Aksa është e jona, erdhëm të falim namazin, të bëjmë adhurim, nuk është e atyre. Jerusalemi është i ynë, Aksa është e jona”, tha Ebu Sbitan duke shtuar se kompleksi Al-Aksa është i muslimanëve

Pas njoftimit të policisë izraelite se sot nuk do të lejojë hyrjen në kompleksin Al Aksa të meshkujve nën moshën 50-vjeçare, kjo u bë pengesë e madhe për muslimanët palestinezë të cilët dëshironin të falin namazin e xhumasë në Al Aksa pas 2 javësh, raporton Anadolu Agency (AA).

Policia izraelite e cila ka vendosur pika kontrolli përreth rajonit të qytetit të vjetër ku gjendet edhe Al Aksa, nuk lejoi hyrjen e meshkujve nën moshën 50 vjeçare në kompleks.

Eshref Manasira, i cili nga orët e mëngjesit ishte nisur drejt Al-Aksasë nga shtëpia e tij në qytetin El-Halil, e kishte vështirë t’i mbajë lotët pasi që policia izraelite nuk lejoi kalimin e tij në pikën e kontrollit.

“Gjatë dy javëve të fundit ishim në kontakt me këtë vend. Rezistuam sot për të falur namazin e xhumasë. Kam ardhur këtu nga El-Halil. Nuk më lejojnë të hyjë në Al Aksa vetëm se kam letërnjoftim të Bregut Perëndimor. Jam 42 vjeçar, por një polic izraelit më i vogël se unë nuk më lejon të hyjë këtu”, tha Manasira për AA.

Ai më tej tha se si një palestinez është mërzitur nga këto masa të Izraelit. “Durimi ynë sa nuk ka shpërthyer. Ju e shihni gjendjen tonë, këtë na e bëjnë gjithmonë. Kjo xhami është e jona, nuk është e atyre. Policia arabe druze nuk më lejon të hyjë këtu, një tjetër vjen dhe i thotë ‘dëbojeni atë prej këtu’. Ne erdhëm që të falim namazin në Al-Aksan tonë”.

“Jerusalemi është i ynë, Aksa është e jona”

Ndërsa palestinezja Zarife Ebu Sbitan e cila arriti të kalojë pikën e kontrollit tha se “Po përpiqemi të shkojmë në Al Aksa pavarësisht pengesave, vështirësive dhe pikave të kontrollit. Jemi duke u ekspozuar në çdo lloj ndalese. Deri sa të vij këtu kalova tre pika të kontrollit”.

“Aksa është e jona, erdhëm të falim namazin, të bëjmë adhurim, nuk është e atyre. Jerusalemi është i ynë, Aksa është e jona”, tha Ebu Sbitan duke shtuar se kompleksi Al-Aksa është i muslimanëve.

Një palestinez tjetër që kaloi pikën e kontrollit të policisë izraelite Said Misk tha se “Jemi duke u ekspozuar në masa që nuk kanë ndodhur më parë. Popullata e Bejtul Makdis (Jerusalemi) është duke përjetuar vështirësi të mëdha. Njerëzit e Jerusalemit kanë nevojë për ndihmë”.

“Al Aksa nuk mund të braktiset, ky vend përfaqëson të gjithë muslimanët. Ne jemi kurbanë të ummetit këtu. Ne nuk kemi nevojë për mbështetje materiale, kemi nevojë për mbështetje morale. Gjendja jonë është shumë e keqe”, u shpreh Misk duke i bërë thirrje botës Islame për ndihmë.

Në deklaratën me shkrim nga policia e Izraelit thuhet se përveç për meshkujt nën moshën 50-vjeçare, nuk është vendosur ndonjë kufizim tjetër për sa i përket gjinisë femërore.

Policia po ashtu ka njoftuar se në muret e Jerusalemit dhe brenda rajonit të Qytetit të Vjetër janë vendosur forca shtesë policore dhe se në këtë rajon do të mbyllen edhe disa rrugë.

Çfarë ndodhi?

Përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.

Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë 8 palestinezë.

Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.

Duke u dorëzuar përpara presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.

Autoritetet izraelite dje në orët e hershme të mëngjesit hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë.

Muslimanët dje u mblodhën për të falur namazin e ikindisë në Al Aksa pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit. Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve, dje në Al Aksa u hapën të gjitha portat dhe dhjetëra e mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.

Më pas, policia izraelite filloi të intervenojë ndaj palestinezëve brenda dhe jashtë Al Aksasë me shok bomba dhe plumba gome dhe mbylli të gjitha portat përveç Portës Asbat. Mbi njëqind palestinezë u plagosën gjatë intervenimit policor.

Kjo gjendje shkaktoi përplasje mes palestinezëve dhe policisë izraelite në oborrin dhe portat e Al Aksasë. Pas namazit të jacisë, policia izraelite hyri në Al Aksa dhe u përpoq të nxjerrë me forcë muslimanët brenda Xhamisë së Kibles. Firas ed-Dibs, koordinatori mediatik i Vakëfeve Islame të Jerusalemit, tha se forcat izraelite u përpoqën të thyejnë njërën nga dyert e xhamisë për të intervenuar.