Izraeli ka miratuar ndërtimin e 800 njësive të reja të banimit në tri vendbanime kolone hebreje në Jerusalem, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas televizionit izraelit Kanal 2, kryebashkiaku i Jerusalemit, Nir Barkat, ka thënë se Komiteti i Ndërtimit dhe Planifikimit i Bashkisë së Jerusalemit ka miratuar ndërtimin e 800 njësive të banimit në vendbanimet hebreje Pisgat Zeev, Ramot dhe Gilo. Barkat ka mbrojtur vendimin duke thënë se “Ndërtimi në Jerusalem është i domosdoshëm dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që të forcohet Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit”.

Barkat po ashtu ka theksuar se janë duke vlerësuar edhe projektin për 114 njësi banimi për palestinezët në rajonet Es-Sevahire, Rasu’l Amud, Shuafat dhe Et-Tur në Jerusalemin Lindor.

Më 28 maj, qeveria izraelite kishte miratuar projektin me vlerë rreth 14 milionë dollarë për zgjerimin e zonës të cilën izraelitët e quajnë si “pellgu i Qytetit të Vjetër të Jerusalemit”.

Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014, pasi Izraeli nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, të drejtën e kthimit të palestinezëve të dëbuar dhe ndalimin e ndërtimeve në vendbanimet kolone.

Që nga viti 1967, Izraeli e mban të okupuar Jerusalemin Lindor.