UNESCO ka njohur si pjesë të trashëgimisë botërore dhe zonë palestineze ‘Varrin e Patriarkëve të Hebron’ duke shkaktuar zemërimin e Tel Avivit dhe duke rrezikuar nj incident të ri diplomatik mes Izraelit dhe kombeve të bashkuara.

Rrezikohet një tjetër incident diplomatik mes Izraelit dhe Kombeve të Bashkuara, pasi UNESCO ka njohur si pjesë të trashëgimisë botërore dhe zonë palestineze ‘Varrin e patriarkëve të Hebron’ në Cisjordani.

E nëse ministri palestinez i Kulturës Rula Maia e ka cilësuar këtë një vendim historik, për Izraelin bëhet fjalë për një njollë morale.

Sipas një reagimi zyrtar Izraeli e ka cilësuar UNESCO’n si një organizatë të parëndësishme që promovon histori të rreme e për këtë arsye duhet ti vijë turp.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme izraelite u shpreh se historia e lavdishme e popullit hebre ka nisur pikërisht në Hebron dhe asnjë gënjeshtër e UNESCO apo histori false nuk mund të ndryshojë pasi e vërteta është e përjetshme.

Edhe ministri izraelit i mbrojtjes Avidgor Lieberman me anë të një reagimi në Twitter sulmoi UNESCO’n duke e cilësuar si një organizatë politike, të turpshme dhe antisemite.

Edhe ministri i edukimit në vend ka qenë në të njëjtën linjë duke thënë se është e turpshme që UNESCO mohon historinë dhe shtrembëron realitetin duke i shërbyer atyre që përpiqen të fshijnë shtetin hebre.

“Izraeli nuk do të rinisë bashkëpunimin me UNESCO, deri sa kjo organizatë të jetë një mjet politik dhe jo profesional”,  përfundoi ai.