Qeveria e Italisë po e shqyrton mundësinë që të japë viza Schengen për mijëra migrantë që tashmë janë në territorin italian, në mënyrë që të përballohet më lehtë kjo krizë.

Me këtë veprim, Italia do t’ua mundësonte refugjatëve që të udhëtojnë drejt shteteve të Europës dhe do t’ia lehtësonte barrën vetes, pasi në brigjet italiane kanë zbarkuar rreth 200 mijë refugjatë vitet e fundit, shkruan Times.

Italia ka bërë këtë kërcënim drejt shteteve tjera të BE’së, pasi këto të fundit nuk u treguan sa duhet të gatshme për të ndihmuar shtetin alpin në menaxhimin e kësaj krize. Nëse kjo zbatohet, qindra mijëra migrantë do të mund të udhëtonin drejt shteteve të tjera të BE’së, duke rrezikuar kështu tërë marrëveshjen e Schengenit.

Dhënien e vizave të përkohshme për migrantët Italia do të mund ta bënte duke përdorur një direktivë të cilën Brukseli e kishte përdorur gjatë luftërave të Ballkanit. Me direktivën  2001/55, njerëzit e prekur nga lufta në Ballkan shkonin me viza të përkohshme drejt Europës.

Për shkak të pozitës gjeografike, Italia është shndërruar në një pikë të përshtatshme për ardhjen e migrantëve nga jugu drejt Europës. Më shumë se 86 mijë sosh kanë ardhur vetëm këtë vit, sidomos nga Afrika veriore.

Europa, vitet e fundit është përfshirë në një krizë të ashpër të refugjatëve, të cilët kanë ardhur me miliona nga zonat e prekura nga lufta si Lindja e Mesme e Afrika.

Global

Comments are closed.