Italia e ka dërguar në një nivel tjetër presionin ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të ndarë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë e menaxhimit të krizës së emigrantëve, ndërsa ka paralajmëruar se mund të pajisë me vizë të përkohshme rreth 200 mijë azilkërkues të ardhur nga Afrika, të cilat më pas do të kenë mundësinë që të udhëtojnë drejt vendeve të tjera të kontinentit të vjetër.

Ideja ka nisur të përflitet në qarqe të ndryshme të qeverisë, ndërsa i pyetur mbi këtë çështje, zv. Ministri i Jashtëm i Italisë, Mario Giro, është shprehur se aktualisht po konsiderohet çdo mundësi për t’i bërë ballë fluksit.

Në rast se do të veprojë në mënyrë të tillë, qeveria italiane nuk do të ketë shkelur asnjë parim të së drejtës ndërkombëtare, pasi gjithçka mund të bazohet mbi direktivën 2001- të Këshillit Europian.

Ekspertët e kanë konsideruar këtë ide si një “bombë bërthamore” për Europën në rast se do të vendoset në zbatimin.

Sipas tyre, pajisja e azilkërkuesve me vizë mund të prodhojë një kaos të vërtetë për kufinjtë europianë si dhe mund të përbëjë një objekt konflikti për vendet kryesore të BE-së.

Italia prej kohësh ka shprehur pakënaqësi, pasi sipas Romës zyrtare, autoritetet po përballen thuajse të vetme me krizën e azilkërkuesve, ndërsa apelojnë për angazhimin e të gjithëve në menaxhimin e situatës.

Më herët, qeveria italiane ka kërcënuar gjithashtu se mund të mbyllë totalisht portet e jugut, ide që gjithashtu mund të shkaktojë një gjendje kaotike.