Një ish-ushtarak i larguar nga Shqipëria i ka shkruar kryeministrit Edi Rama pas thirrjes së tij për ata që duan të punojnë në administratë.

Ai i është ankuar kryeministrit se në 10 vjet punë në Shqipëri ka luftuar që të mbijetojë me aftësitë e tij, por se pavarësisht kualifikimeve, ata që shkonin para ishin servilët dhe ata që dilnin nëpër mitingje.

Megjithëse shpreh bindje të majta, komentuesi thotë se nuk do të kthehet më në Shqipëri.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama i përgjigjet se nuk mund të ofendojë të gjithë njerëzit që punojnë në Shqipëri dhe se nuk duhet t’i duket vetja më i zoti se të tjerët.

REPLIKAT
Komentuesi: Jam një ish-punonjës i atij shteti që po e lavdëroni aq shumë ju zoti kryeministër. Kam punuar për 10 vjet me të majtë e me të djathtë me aftësitë e mia personale kam mundur të bëj shumë kualifikime. Dosja ime në zyrat e personelit mund të ketë qenë një nga me voluminozet, por kur vinte puna për të ecur në karrierë e për të bërë kurset që më takonin shkonin ata që “dëshironte” eprori im.

U mundova e luftova për atë vend bëra aq sa kisha mundësi (aq sa me lejuan drejtorët tuaj), derisa e pashë të arsyeshme që ishte e pamundur të luftoje me servilizmin e shtetit me ata që u merrnin postet me daljet nëpër mitingje.

Pas një kalvari të gjatë mundimesh shteti juaj arriti që të më mundte e të më detyronte të largohesha nga Shqipëria. Me mundim e shumë sakrifica arrita të fitoj shkollën dhe bursën e studimit në një nga universitetet e mjekësisë më të mira në Europë. Fitova universitetin për të mos e kthyer me kokën mbrapa në atë shtet që keni krijuar ju politikanët.

Apo mos do më thoni kthehuni sepse koha ka ndryshuar! S’ka ndryshuar asgjë zoti kryeministër sa të ekzistoj servilizmi dhe sahanlëpirësit, emërimet të jenë partiake i drejti dhe i zgjuari do të merren nëpër këmbë në atë lloj shteti që keni krijuar ju, PD dhe LSI.

Megjithatë dua t’i uroj të gjithë drejtorëve dhe atyre që kanë poste në shtetin tuaj vazhdoni me servilizmin sepse është e vetmja mundësi për të ngrënë bukë dhe vjedhur PA të kapur ligji në atë shtet. P.S. Sa për dijeni jam i majtë nga bindja ashtu si dhe babai im e familja ime.

Edi Rama: E para bravo dhe shumë respekte që ke filluar e mbaruar shkollën e lartë për mjekësi në Europë. E dyta çudi që paske bërë 10 vjet punë pa bërë shkollën dhe paska krijuar një dosje nga më voluminozet.

Dhe e treta unë s’të them as kthehu as mos u kthe, sepse unë bëj pjesë tek pakica në këtë rast, dmth mendoj se është fat që jemi njerëz të lirë e mund të lëvizim sa të duam dhe gjithkush ikën apo vjen sipas dëshirës e kjo nuk është aspak një tragjedi, përkundrazi. Dhe e fundit, gjithçka ke bërë apo shkruan se i ke bërë, nuk është as arsye për të ofenduar tërë njerëzit që punojnë për shtetin këtu, as arsye që të duket vetja më i zoti se sa të tërë.

Besoj se i bën më shumë nder vetes dhe diplomës tënde jashtë, nëse e heq këtë pjesën e fundit, jo thjesht nga fjalori, po edhe nga mendja. Të siguroj se individët për të cilët shkruajta në postimin e sotëm, kanë shumë më tepër gjëra për të treguar se sa ti, dhe shumë më shumë modesti në mënyrën se si i tregojnë ato pak që tregojn. Gjithë të mirat e suksese të mëtejshme.