Rrjedhjet e shumta të informacioneve sekrete në SHBA janë shkaktuar nga fryma që ekziston në administratën amerikane.

Kështu e përkufizon atë që ka ndodhur në SHBA kohët e fundit ish-Drejtori i CIA-s, Gjenerali Michael Hayden.

Në një intervistë për rrjetin CNN, Hayden u shpreh se kjo gjë ka ndodhur pasi njerëzit nuk ndihen më të kënaqur me qeverinë e tyre.

‘Kur ndodhin rrjedhje të tilla informacioni dhe me këtë që po them nuk i justifikoj ato, ka përherë pakënaqësi të njerëzve ndaj qeverisë. Ata janë të stërlodhur që nuk dëgjohen më dhe duan që zëri i tyre të merret parasysh. Fryma në administratë është e tillë që nxit rrjedhjet prandaj nëse duam që kjo të ndalet, duhet ndryshuar fryma që mbizotëron sot.’

Sipas Hayden, për të shmangur këtë gjë, duhen ngritur kanale dhe mënyra komunikimi me njerëzit që punojnë në adminstratë dhe që ndihen të nëpërkëmbur.

‘Politika ime në agjenci ishte komunikimi me njerëzit. U dhashë adresën tim të e-mail dhe brenda pak ditësh mora mijëra të tillë. U ktheva përgjigje të gjithëve për çështjet që ngrinin dhe kështu rrjedhjet e informacioneve u ndalën. Nuk po them që këtë gjë ta bëjë Presidenti, por pjesa tjetër vartësve të tij mundet dhe duhet ta bëjnë.’