Prej shumë vitesh Koço Kokëdhima ka qenë “krahu i djathtë” i Edi Ramës dhe është konsideruar nga jo pak persona si “babai” që ka këshilluar kryetarin e Bashkisë, kryetarin e PS-së e tanimë kryeministrin Rama.

E pavarësisht ndarjes së tyre në rrugë të ndryshme, sërish Koço Kokëdhima mbetet njëri ndër personat që e njeh më së miri nga afër Edi Ramën, dhe sipas tij, kryeministri do ta bashkëqeverisë vendin me Partinë Demokratike. Së paku për dy vitet e ardhshme.

Ky është paralajmërimi që bën Koço Kokëdhima në emisionin Tonight të Ilva Tares në Oranews.

Kokëdhima: Kam shprehur idenë time se me shumë gjasa ne do kemi një bashkëqeverisje PS-PD të paktën për dy vitet e ardhshme.

Ajo marrëveshje e 18 majit nuk ndihmoi për zgjedhjet e lira, nuk i dha standard këtyre zgjedhjeve, nuk arriti asnjë nga objektivat që kishte protesta 90 ditore e opozitës dhe nuk besoj se u bë për ato 6 ministra teknikë.

Unë mendoj se ajo marrëveshje është për çështje më të rëndësishme dhe as për konsesus kushtetues, sepse për konsensus kushtetues nuk kishte nevojë për këtë marrëveshje. Unë besoj se ajo është një marrëveshje bashkëqeverisje.