Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka mohuar se deputetja nga radhët e partisë së tij, Teuta Rugova, do të veprojë në kundërshtim me vendimin e partisë, për ta votuar qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ai tha se, asnjë deputet, nuk do të votojë ndryshe nga vendimi që ka marrë LDK-ja.

Madje, Mustafa e ka cilësuar si presion, vizitën e Ramush Haradinajt në familjen e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ai bëri thirrje që presionet ndaj kësaj familje të ndalen.

“Kam parë lloj lloj deklarata kamë parë presione në familjen Rugova që janë shumë të rënda dhe të papranushme sepse nuk mund t’i bëhet një familjes presion të tillë. Deputetëve duhet të ua respektojnë mandatin, deputetët e LDK-së, nuk do të votojnë jashtë vullnetit dhe jashtë politikave të LDK-së”, tha ai për RTV Dukagjini.

Këto komente, Mustafa i bëri pas takimit që pati me kryetarët e degëve, në të cilën u diskutua për zgjedhjet lokale.

Pavarësisht deklaratave të Mustafës, duket se kjo familje nuk po përballet me kurrfarë presioni meqenëse është Teuta Rugova qe sot disa here ka kritikuar qasjen refuzuese të LDK-së ndaj bashkëpunimit me Ramush Haradinaj.

Ajo në një prononcim për “Indeksonline”, e rikonfirmoi se qëndron fuqishëm prapa deklaratave të ditës  së sotme në lidhje me vizitën e Haradinajt në familjen e Ibrahim Rugovës.

“E shfrytëzoj edhe njëherë rastin që t’i bëj thirrje publike si deputete e zgjedhur e LDK-së, të gjitha strukturave udhëheqëse të LDK-së që nuk bën të injorohet fakti i bashkëpunimit të ngushtë që ka pasur babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me z. Ramush Haradinaj”, ka thënë ajo.

Global