Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, thotë se përgjegjësia për krijimin e institucioneve u takon partive që u renditen para saj në zgjedhje, pra koalicionit PAN e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat e votuan rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Ky njëherësh është edhe vendimi unanim i Lidhjes Demokratike.

Pas kësaj, ai shton se LDK do të jap ofertën e saj, nëse ata që u bënë bashkë për rrëzimin e qeverisë dështojnë.

Mustafa, pas mbledhjes së mbajtur të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka bërë të ditur qëndrimet e LDK’së lidhur me votimin e kreut të Kuvendit.

Ai, nëpërmes një postimi në Facebook, është shprehur se LDK nuk do ta votojë Kadri Veselin, por as partnerët e saj, AKR e Alternativa.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

“Është qëndrim i LDK-së të mos votohet Kadri Veseli për Kryetar të Kuvendit. Nuk do ta votojnë as deputetët e këtij koalicioni nga AKR dhe Alternativa.

Qëndrim unanim I Këshillit të Përgjithshëm sot ishte se përgjegjësinë për themelimin e instituiconeve e kanë subjektet e renditura para LDK-së. Ato që u organizuar bashkë për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK-ja. Në qoftë se ato dështojnë apo nuk mund të bëjnë këtë, atëherë LDK do të japë ofertën e vet, por gjithnjë pa PDK-në.”