Kryeministri në largim, Isa Mustafa ka reaguar ashpër ndaj kreut të AAK’së Ramush Haradinaj, ndërkaq ka goditur edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, kryetari i LDK’së ka pyetur se me çfarë të drejtë ata që e rrëzuan Qeverinë e drejtuar nga ai, të kërkojnë dhënien e votës.

Siç ka thënë ai, asnjë nga LDK dhe që respekton LDK-në nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në.

Reagimi i kreut të LDK-së vjen pas vizitës që Haradinaj ia bëri deputetes Teuta Rugova në shtëpinë e saj.

E pavarësisht këtij qëndrimi të Mustafës, ishte Teuta Rugova ajo që u bëri thirrje të gjitha strukturave të LDK-së që të mos injorohet fakti se Haradinaj ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Ibrahim Rugovën. Zëdhënësi i Haradinajt, konfirmoi se Teuta do ta votojë Haradinajn.

Postimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:

Ata që e sulmuan me të gjitha mjetet dhe metodat e dhunës Kryeministrin dhe Qeverinë e drejtuar nga LDK, sot thirren në Ibrahim Rugovën dhe kërkojnë nga LDK dhe deputetët e LDK-së t’ua japin votën për Qeverinë e koalicionit të drejtuar nga PDK.

Me çfarë të drejte? Morale? Politike? Etike?

AAK, Nisma, VV, Lista Serbe, komunitetet tjera, të gjithë u bashkuat për ti shpallur mosbesim një qeverie të drejtuar nga LDK që shënoi rritje ekonomike, stabilizoi buxhetin, rriti pensionet, e pa korruptuar me orientim të qartë evropian.

Ne nuk jemi përgjegjës që gabuat në llogari.

Prandaj, mos na lodhni duke na treguar sesi ua dha Rugova mandatin. Sot nuk do t’ua japim as mandatin e as besimin. Asnjë nga LDK, që respekton LDK-në dhe që i rri besnik kësaj partie nuk do t’ia jap votat koalicionit të drejtuar nga PDK e as Ramush Haradinajt me PDK-në.

LDK nuk do të diskutoj me askënd për qeverisjen PAN. Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre. IM

Global