Interpoli këtë vit e ka pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, duke e futur në agjendë krahas tri shteteve tjera, ka thënë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.

Ai në një prononcim për Indeksonline, ka theksuar se futja në agjendë e kërkesës së Kosovës për pranim në Interpol është një hap i madh por që nuk do të thotë se ky pranim mund të ndodhë me automatizëm.

“Kosova ka aplikuar për anëtarësim para dy vitesh dhe këtë vit si duket kërkesa e Kosovës për anëtarësim do të futet në agjendë. Mirëpo ky veprim nuk do të thotë pranim me automatizëm sepse kanë aplikuar edhe 3 shtete tjera përkatësisht entitete në mesin e tyre edhe Palestina dhe kjo mund të pengoj anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë Hyseni.

Sido që të jetë institucionet e Kosovës sipas ministrit të Brendshëm, janë duke bërë gjitha përgatitjet dhe kanë bërë çdo gjë që është në mundësitë e tyre që ky anëtarësim të ndodhë sa më parë.

Ai ka thënë se çështja e anëtarësimit në Interpol është komplekse dhe se nuk mund të merret si e garantuar.

“Është shume e rëndësishme që Policia e Kosovës të ketë qasje në të dhënat e Interpol-it, mirëpo është gjithashtu interes i Interpol-it që të këmbej informata me Republikën e Kosovës. Pra në këtë rast të dyja palët do të përfitonin nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol”, ka thënë Hyseni.