Një shkupjan është sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur pasditen e djeshme përderisa ka qenë duke lëvizur në rrugën Radishanska në Shkup, informojnë nga MPB.
Bëhet fjalë për V.R (39) nga lagjja Radishan, i cili në polici ka denoncuar se është sulmuar në momentin kur ka qenë duke lëvizur në rrugën Radishanska me makinën e tij “Land Rover” së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij.

Në një moment makina “pasat” me targa të panjohura ka frenuar me shpejtësi.

I revoltuar nga veprimi V.R ka ndaluar makinën e tij dhe ka dal drejt makinës që ka frenuar.

Pas një mosmarrëveshje të shkurtë, nga makina kanë dalë dy persona të panjohur dhe fizikisht kanë sulmuar V.R i cili, i kërcënuar për sigurinë ka filluar të kthej goditjen.
Pasi dikush nga personat prezent është paraqitur në polici, njëri person ka ikur, ndërsa tjetri është futur në makinë dhe me makinë ka goditur V.R., i cili është rrëzuar në pjesën e përparme të makinës dhe ka goditur me kokë xhaminë e përparmë.

Makina ka vazhduar të lëviz edhe 100 metra dhe ka frenuar përnjëherë pas çka V.R është rrëzuar në tokë.
Me makinë të ndihmës së shpejtë ai është dërguar në Qendrën urgjente në Shkup, ku është ndaluar për kurim të mëtutjeshëm.
Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.