Ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s Taxhan Illdem, gjatë vizitës në Shkup theksoi se Maqedonia do ta marrë ftesën për anëtarësim në NATO vetëm pasi të ketë zgjidhur çështjen e emrit. Në një intervistë për Alsat Illde deklaroi se shumë të rëndësishme janë edhe zbatimi i reformave të planit”3-6-9” si dhe zhvillimi i demokracisë dhe sigurisë.

Intervista:

Mbajtët takime me përfaqësues të Qeverisë. Çfarë dëgjuat prej tyre dhe çfarë u thatë?

Mendoj se vizita ime dyditëshe në Shkup më mundësoi ta kuptoj më mirë qasjen me orientim reformues të Qeverisë. Mi sqaruan të gjitha hapat që i kanë ndërmarrë në frontin reformues, por edhe në eliminimin e problemeve të caktuara, çështjet bilaterale me fqinjët.

Mendoni në çështjen e emrit?

Nuk është vetëm çështja e emrit, por edhe marrëdhëniet me Bullgarinë. Mendoj se ajo që duhet ta shohim është që vendi të përfshihet në tejkalimin e problemeve me fqinjët, që kanë mbetur nga e kaluara, të shihet vullneti dhe kapaciteti për të kontribuar në bashkëpunimin rajonal. Për aspiratat për anëtarësim në NATO, e sqarova atë që e theksoi edhe sekretari përgjithshëm i NATO-s, se vendimi nga Samiti i Bukureshtit akoma është në fuqi, ndërsa u përsërit nga shefat e shteteve dhe qeverive në Samitin e Varshavës, që do të thotë ftesë për anëtarësim në NATO, do të ketë kur të arrihet  zgjidhje e ndërsjellë dhe e pranueshme për emrin. Por, kur ta lexoni deklaratën nga Samiti në Varshavë do të shihni se ka formulime edhe për rëndësinë e reformave që duhet të realizohen. Plani qeveritar “3-6-9” është tregues i mirë se ajo është e vetëdijshme për nevojën e përfundimit serioz të “detyrës së shtëpisë”.

A e keni ndjerë gjatë bisedave frustrimin që është rezultat i pritjes së stërzgjatur para dyerve të NATO-s? Thatë se në muajt e ardhshëm Maqedonia do të jetë në fokusin e Aleancës, a jeni optimistë që së shpejti, Maqedoninë do ta shihni të ulur në tavolinën e NATO-s?

Ndoshta ka situata në të cilat dikush do të dëshpërohej ose frustrohej, por do të doja të tregoj ndjenjë realiste dhe gjërat të shikohen në një mënyrë pragmatike, pa mbisunduar emocionet, meqë flasim për atë që vendi të jetë i gatshëm me të gjitha institucionet demokratike dhe strukturat e mbrojtjes, të mundësojë siguri, dhe të kontribuojë drejt mbrojtjes së Aleancës, e cila vendimet e saj i miraton me konsensus; 29 vende anëtare, miratojnë vendime sovrane. Çështja e emrit për të cilat flasim, edhe reformat, të gjitha së bashku, do të bëjnë dallimin drejt anëtarësimit eventual.