I ka përfunduar mandati ambasadorit të Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak, i cili është figurë e njohur në polemikën rreth ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhje presidenciale 2016 në SHBA.

Ambasada e Rusisë në Uashington ka njoftuar në Twitter për përfundimin e mandatit të Kislyak, transmeton Express.

Ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë pasardhësi i Kislyak, edhe pse pritet shumë që Anatoly Antonov, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, të emërohet, i cili njihet si person me qëndrime të ashpra sa i përket SHBA-së.

Këshilltari i pari i sigurisë kombëtare i Donald Trumpit, Michael Flynn, dha dorëheqje pasi gënjeu rreth kontakteve me Kislyak. Ndërsa, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions e tërhoqi veten nga hetimi ndaj dyshimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016 pas lajmeve se ai nuk kishte treguar për takimet me Kislyak.