Pasi u preu ujin banorëve të fshatit duke dëmtuar rrjetin e ujësjellësit, policia i gjen pranë banesës armë dhe municione.
Protagonisti i ngjarjes është 63-vjeçari Ndue Rica, banues në fshatin Shkopet të Kurbit.
Policia njofton se nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, falë ndërhyrjes në kohë, është bërë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të një konflikti mes banorëve të fshatit dhe Ricës, si dhe sekuestrimi i disa armëve dhe municioneve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të fshehura në një ambient afër banesës së 63-vjeçarit, armë zjarri e municione luftarake të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 2 pushkë model 63;
– 19 kapsolle detonatore;
– 5 metër fitil zjarrpërcjellës;
– 835 fishekë të ndryshëm (pushke dhe pistolete);
– 3 krehëra.
Ndue Rica, kishte konflikt me disa fqinjë të tij në lidhje me rrjetin e ujësjellësit. Gjithashtu dyshohet se ai ka dëmtuar rrjetin e ujësjellësit që furnizon banorët e fshatit ku ai banon si dhe të shtetasve me të cilët ka konflikt.
Materialet proceduriale në ngarkim të 63-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprat penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Shkatërrim i rrjetit të ujësjellësit”.