Elseid Hysaj mungon në ditën e pestë stërvitore të Napolit në zonën e Dimaros.

Sipas kounikatës zyrtare të klubit italian, mbrojtësi kuqezi nuk është bashkuar me skuadrën për shkak të problemeve shëndetësore.

Bëhet me dije se virozat e stinës kanë shkaktuar një infeksion në rrugët e frymëmarrjes për lojtarin e lindur në Shkodër. Gjithsesi, Hysaj do të bashkohet me ekipin sapo ta kalojë këtë situatë.

Prej rreth një jave, mbrojtësi 24-vjeçar ka udhëtuar drejt resortit turistik malor të Dimaros, aty ku Napoli zhvillon fazën përgatitore që prej shumë vitesh.

Ai konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë të krahut të djathtë në Itali, ndërsa në Napoli është një pikë referimi për repartin e tërhequr.

Sezonin e shkuar ai kontribuoi në kualifikimin e Napolit në Champions League, ndërsa ky është viti i dytë rresht që mbrojtësi shqiptar do të luajë në evenimentin më prestigjoz të futbollit europian.