Ministri i Jashtëm në detyre, i Kosovës, Enver Hoxhaj ka paralajmëruar se një shtet do ta shpallë njohjen për Kosovën gjatë muajit gusht.

Kryediplomati kosovar nuk ka pranuar të tregojë se për cilin shtet bëhet fjalë, pasi që, ka dashur ta ruajë kredibilitetin si shtet dhe si ministër i jashtëm.

Po ashtu, Hoxhaj ka thënë se një mundësi e re për të marrë njohje të tjera do të jetë gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, e e cila do të mbahet në shtator.

Ministri Hoxhaj ka folur në lidhje me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se për t’u anëtarësuar në UNESCO, krahas votave që ka shprehur besimin që Kosova i ka siguruar, duhet të kryhen edhe disa obligime të brendshme në Kuvendin e Kosovës, siç janë ligji për liritë fetare, për trashëgiminë kulturore, si dhe disa çështje që duhet të adresohen nga Ministria e Kulturës.

Hoxhaj ka shprehur besimin e plotë se Kosova ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar edhe në Interpol.

Ndërkohë, ai ka përmendur edhe sfidat, si mbajtja e takimin në Kinë, vend ky i cili nuk e ka njohur Kosovën, pastaj që kjo mbledhje do të udhëhiqet nga një përfaqësues i Rusisë.

Po ashtu, kryediplomati kosovar ka pohuar se Kosova së shpejti do ta dorëzojë edhe aplikimin për Këshillin e Evropës, por, ka pranuar se për duhet ende të adresohen çështje të brendshme.