Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një prononcim për “Epokën e re”, ka thënë se Kosova ka ende kohë për aplikim për anëtarësim në UNESCO.

Kjo deklaratë e Hoxhajt, ka ardhur pas asaj të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë se Kosova ende nuk ka aplikuar për UNESCO. “Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet kam vizituar shumë vende, me ç’rast kam takuar shu

më ministra të jashtëm, kryeministra dhe presidentë, prej të cilëve kam kërkuar mbështetjen e tyre për t’u bërë pjesë e Interpolit dhe UNESCO-s. Në Interpol e kemi aplikimin nga viti i kaluar, ndërsa sivjet mbahet Asambleja e Interpolit, e cila do të duhej të merrte vendim për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Sa i përket UNESCO-s, sikurse te Interpoli, i kemi votat e nevojshme që të bëhemi pjesë e kësaj organizate. Ndërsa, koha për aplikim është e mjaftueshme, meqë nga muaji shtator, tetor dhe nëntor, ndodhin fazat vendimtare kur aplikimi i ynë vendoset në agjendë, pra kur mbahet takimi përmbyllës dhe kur votohet. Kështu që, kemi kohë të mjaftueshme për të aplikuar”, është shprehur Hoxhaj.

Në këtë kontekst, Hoxhaj ka vlerësuar se vendi ynë është më rendësi që t’i përmbush disa prej kritereve të brendshme për anëtarësim në UNESCO.

“Për Kosovën është me rendësi që t’i përmbush disa prej kritereve të brendshme që kanë të bëjnë qoftë me miratimin Ligjit për liritë fetare, qoftë me miratimin e Strategjisë për trashëgimi kulturore, qoftë për të adresuar disa prej problemeve që lidhen me dy-tre kisha ortodokse serbe, si dhe disa kritere tjera që Kosova duhet t’i përmbush. Kjo është prej detyrave të para që duhet t’i kenë institucionet e Kosovës para se ne t’i fillojmë procedurat për t’u bërë anëtar të plotë të UNESCO-s. Për më shumë, ne asnjëherë kur kemi aplikuar në ndonjë organizatë nuk e kemi bërë publik aplikimin tonë. Aplikimi ka mbetur konfidencial siç ka qenë rasti me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, kur asnjëherë nuk kemi folur se kemi aplikuar, dhe vetëm ditën e aplikimit është parë që Kosova ka mbështetjen e saj”, ka deklaruar Hoxhaj.

Global