Baftjar Tanushi, babai i nuses 19-vjeçare që tentoi të helmonte vjehrrën dhe akuzoi vjehrrin për përdhunim ka rrëfyer sot disa detaje për historinë e vajzës dhe akuzat me krushqinë.

Baftjari shprehet se si ai, ashtu edhe e bija janë mirë me shëndet dhe po presin me qetësi ditën e gjyqit, kur edhe do përballen me familjen Stafa, për akuzat që kanë hedhur në drejtim të Eldës, e cila është kthyer tashmë në Zall Reç të Dibrës dhe ka braktisur shtëpinë e bashkëshortit.

Ndërsa thotë se mezi po pret ditën e gjyqit, Baftjari tregon për “BalkanËeb” se nuk ka çfarë të komunikojë më me dhëndrin Donaldin pas baltës që kanë hedhur mbi vajzën e tij.

 “Nuk kam komunikuar me dhëndrin se gocën e kam çuar për të dhe jo për krushkun, tani ta mbajë me dorë se nuk ka qenë i zoti për vajzën time”, shprehet ai.

Më herët Baftjar Tanushi nuk e ka kursyer një mesazh edhe për krushkun e tij, të cilit i thotë prerë “e ka mizën nën kësulë, prandaj flet pa doganë për vajzën time”.

Ai thotë se po zbaton me përpikmëri këshillat e prokurorëve të çështjes, që të mos prononcohen pa dhënë drejtësia fjalën e fundit.

Vajza e tij Elda Tanushi u ndalua pak javë më parë nga policia, pas denoncimit të vjehrrës së saj për tentativë vrasje. Fill pas kësaj babai i Eldës deklaroi se e bija kish dashur t’ia jepte helmin vjehrrit pasi e kishte përdhunuar në kohën që bashkëshorti i saj 20-vjeçar, Donaldi ndodhej në emigrim.

Me tu kthyer Donaldi iu doli në mbrojtje prindërve, dhe deklaroi se kish dashur të ndahej me të, pasi nuk e gjeti të virgjër.