Në emër të bukurisë kemi provuar gjëra nga më të ndryshmet. Nga të lyerit e flokëve me limon për të hapur ngjyrën, tek mbulimi i akneve me pastë dhëmbësh për eleminimin e tyre brenda natës, çmenduritë për të arritur perfeksionin nuk kanë të rreshtur. Ju kujtohet kur konsumimi i tre litrave ujë për dobësim u kthye në modë? Eh, e kuptojmë vuajtjen, e kemi provuar të gjithë…

Sidoqoftë, sipas zbulimeve më të fundit, sekreti i flokëve shkëlqyes qendron diku gjetkë. Edhe pse mund të duket e habitshme, rekomandohet që për një rezultat të tillë, këllëfët e pambuktë të jastikëvë të ndërrohen me ato prej mëndafshi.

Po, e dëgjuat mirë. Mesa duket, përbërja e pambukut ka përmbajtje të atillë fibrike, që edhe pse në masë shumë të vogël, ndikon në acarimin e lëkurës gjatë natës, si dhe në ngatërrimin e flokëve. Krejt ndryshe ndodh me mëndafshin, fijet e ndërthurura të së cilit krijojnë një sipërfaqe të rrëshkitshme, që do t’i japë lirinë e duhur flokëve gjatë gjumit, si dhe do t’i ndihmojë ato të shkëlqejnë si kurrë më parë. Lum si ne, tani do të na duket dhe krevati mahnitës!