Lewis Hamilton konfirmohet si piloti më i shpejtë edhe në provat e dyta të lira të Çmimit të Madh të Austrisë që do të zhvillohet këtë fundjavë mbi cirkuitin Red Bull Ring.
Britaniku i Mercedes-it i mbylli provat me kohën 1 minutë 5 sekonda e 483 të mijtat.
Do të jetë një betejë dyshe mes dy rivalëve të mëdhenj në garën për titull ajo mbi pistën austriake, pasi Vettel ishte vetëm 147 të mijtat e sekondit më i ngadaltë se Hamilton.
Piloti gjerman i Ferrarit bëri një paraqitje pozitive, duke dhënë sinjale të rëndësishme se do të tentojë fitoren në Red Bull Ring.
Koha e tretë më e mirë i takoi Valteri Bottas-it. Finlandezi i Mercedesit me 216 të mijtat e sekondës më i ngadaltë se shoku i skuadrës la pas dy pilotët e Red Bullit, fituesin e garës së fundit Daniel Ricciradon dhe Max Verstappen-in.
Vetëm i 6-shti Kimi Raikkonen i cili edhe njëherë tjetër u shfaq poshtë prithshmërive duke treguar se ka humbur shumë nga sharmi i dikurshëm dhe ndoshta karrierës së tij në Formula 1 po i vjen fundi.
Magnussen, Alonso, Hulkenberg e Grosjean mbyllën 10-shen e parë në këto prova të lira.