Familja Ilazaj nga fshati Sopi e Suharekës është tronditur në fillim të muajit kur ka marrë një ftesë për paraqitje në gjykatë për të birin e tyre, i cili është vrarë gjatë luftës në vitin 1999.

Thirrja e lëshuar më 4 korrik nga Gjykata Themelore e Prizrenit, dega në Suharekë, ka të bëjë me një padi që KEK’u ka bërë për të ndjerin Muhamet Ilazaj, për shkak të një borxhi të vjetër.

Anëtarë të familjes kanë thënë se ky është turp për institucionet e vendit, raporton KTV.

Dardan Ilazaj thotë se ky veprim është një mosrespektim i vlerave të luftës.

Ndërkaq, në KEK dhe në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, kanë thënë se është bërë një gabim pasi janë ngatërruar emrat e konsumatorëve.