Gjykata e Lartë ka rrëzuar pjesërisht vendimin e qeverisë që sanksiononte se profesionet e lira do të paguanin Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në një vendim të dhënë së fundmi Kolegji Administrativ ka vendosur që pagesa të bëhet vetëm nga ata që kanë xhiron vjetore nga 5 milionë lekë e lart.

Rrëzimi i pjesshëm i aktit normativ nënligjor, VKM nr 953 datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” erdhi pas padisë që dërgoi në Gjykatën e Lartë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundër Këshillit të Ministrave.

Ligji për TVSH-në në pikën 2 të nenit 11 përsa i përket profesionit avokat, në lidhje me vendosjen e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar.

Global

“Kjo xhiro vjetore për bizneset në tërësi llogaritet në nivelin e qarkullimit prej 5 milion lekë, ndërkohë që për avokatët, në mënyrë krejtësisht absurde, ky nivel ishte caktuar në kufirin 0 lekë. Kjo praktikisht do të thotë që për çdo shërbim të ofruar nga ana e avokatit duhej të llogaritej dhe paguhej TVSH në masën 20% të shërbimit të ofruar” argumenton Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë.

Sipas Kolegjit Drejtues të kësaj Dhome pas hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës, detyrimit për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milion lekë të reja në vit.

T mobile In article [4]

Të gjithë avokatët e tjerë nën këtë nivel xhiro vjetore nuk kanë detyrim të jenë subjekt i pagesës së TVSH, që do të thotë nuk kanë detyrim të llogarisin 20% për efekt pagese TVSH dhe shërbimi i tyre nuk do të faturohet nëpërmjet faturës me TVSH por me faturë të thjeshtë tatimore.

A do jetë shfuqizimi për gjithë profesionet e lira?

Burime nga Dhoma e Avokatisë sqaruan për Monitor se kërkesa është bërë nga Dhoma e Avokatisë, por në bazë të ndryshimeve të fundit Kushtetutës, çdo vendim i Kolegjit është unifikues. Duke marrë parasysh se argumenti që është shfuqizuar se ky tatim është diskriminues, qëndron për të gjitha profesionet, ky vendim duhet shfuqizuar për të gjithë. Por gjithsesi, thonë ata, duhet pritur zbardhja e vendimit. /Monitor