Për të katërtën herë me radhë Komuna e Gjilanit po ua ofron mundësinë nxënësve të Luginës së Preshevës që të vijojnë shkollën e mesme në këtë komunë.
Ndonëse u është lehtësuar çështja e dokumentacionit ka shumë pak nxënës të interesuar për të ndjekur mësimet.
Kjo për shkak se Serbia nuk i njeh certifikatat shkollore të Kosovës.
Arbër Islami nga Komuna e Gjilanit thotë se nuk ka pasur të interesuar.
E kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Kushtrim Kadriu, thotë se nxënësit e Luginës së Preshevës, ndonëse e kanë shumë me qejf të shkollohen në Kosovë, ata ngurojnë për shkak se Serbia nuk ua pranon atyre certifikatat ose diplomat e Kosovës.
Viteve të kaluara sipas zyrtarëve të komunës nuk kishte më shumë se katër nxënës nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja ndërsa për vitin shkollor në shtator mbetet të shihet se sa do të jetë interesimi.