Gjermania e ka ngritur sot mundësinë për suspendimin e pagesave ndihmëse të Bashkimit Evropian për Turqinë pasi që e thirri në një takim urgjent ambasadorin e Ankarasë në Berlin për të protestuar ndaj arrestimit të gjashtë aktivistëve të të drejtave të njeriut, përfshirë dhe një gjerman.

Kjo lëvizje shënon përshkallëzimin e mëtejmë të tensioneve mes dy shteteve aleate të NATO-s, Turqisë dhe Gjermanisë, të cilat kanë mosmarrëveshje për një varg çështjesh, transmeton Express.

Këtë muaj, Turqia i arrestoi aktivistët e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe e Amnesty International në Turqi, Idil Eser, dhe qytetarin gjermane Peter Steudtner, nën akuzat për terrorizëm, të cilat Berlini i ka cilësuar si absurde.

“Fatkeqesisht, kemi shkas të vazhdueshëm për të folur me Turqinë rreth lirive të shtypit dhe civile,” ka thënë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, në një konferencë për media.

Ai ka shtuar: “Mendojmë se është me rëndësi të rishikohet ndihma pas zhvillimeve të fundit.”

Seibert po i referohej një pakoje me ndihma në total prej 3 miliardë eurove që BE-ja ia premtoi Turqisë për t’i ndihmuar t’i frenojë  valët e emigrantëve, shumica nga zonat e konfliktit në Lindje të Mesme, nga futja në Evropë.