Partia UNITETI sot ka dërguar një Reagim të shkruar televizionit kombëtar Alsat-m, lidhur me imformacionin e bazuar në deklaratën e ish deputetit Zulfi Adili Qufa, i cili u shpreh pro shkrirjes së UNITETI-t në një parti të quajtur Aleanca për Shqiptarët. Në vazhdim letra në formë integrale:

R E A G I M:

Partia UNITETI reagon ashpër ndaj lajmit të publikuar në mediumin tuaj nën titull “Nismë për shkrirjen e ‘Aleancës për Shqiptarët’ nëpërmjet të cilit për të disatën herë tentohet të dezinformohet opinioni.

Partia UNITETI edhe pse është parti relativisht e re, është e ndërtuar në bazë të parimeve dhë qëndrimet e saj janë konzistente. Ajo punon në bazë të Statutit dhe vendimet e saj sillen në bazë të këtij akti, në bazë të të cilit, sipas Nenit 55 Alinea 1: “Partinë e përfaqëson dhe prezanton kryetari i partisë”. Çdo opinion, qendrim apo veprim jashtë organeve të partisë dhe jashtë Statutit partiak, mund të jetë vetëm qëndrim individual dhe asgjë më tepër.

Mediumi juaj në asnjë rast deri më tani nuk e ka pa të rrugës që t’i drejtohet Kryetarit të UNITETI-t, z.Gëzim Ostreni, për qëndrim të kësaj partie. Madje edhe paraqitjet mediale dhe komunikatat e UNITETI-t nuk janë transmetuar tek mediumi juaj.

Besojmë thellë se bëhet fjalë për “lëshim teknik” të ndonjë nëpunësi tuaj dhe jo për urdhër të Kryeredaktorit, andaj shpresojmë se së shpejti do ta merrni në konsideratë këtë Reagim, si dhe bashkëpinimi ynë do të jetë në nivelin e duhur ashtu siç jemi zotuar që në themelim të partisë sonë, se do të angazhohemi për fjalë të lirë dhe mediume të pavarura dhe profesionale.

Me respekt,

Kryetari i partisë UNITETI, z.Gëzim Ostreni