*Nga Senad Nikshiqi

Mund të jetë hera e dytë që qëlloj në një mbledhje partie të mbyllur pa media nga fillimi deri në fund. Sapo përfundoi përballja Selami-Basha në garën për kreun e PD në Shkodër e para gjë që më vjen në mendje është një lloj turpi që ndjej për degradimin në të clin ka përfunduar partia demokratike e Shkodrës.

Një përballje plot me fallsitet e shoqëruar nga fillimi dhe deri në fund. Për shumë arsye realisht prisja që në sallën e madhe të kinema Millenium shkodranët, demokratët, ata që mbahen për vlerat e larta dhe intelektualizëm të zhvillonin një takim model përballë atyre që të nesërmen do t’i drejtojnë në betejat e ardhshme politike.

Eduart Selami nuk nguroi të bëntë të njëjtën gjë siç bëri para dhe pas fushatës duke sulmuar Bashën për gabimet e tij. Selami deklaroi në fjalën e tij se ajo që do të bëjë është parimi një anëtar një votë për çdo vendimarrje, dëgjimi i zërave të antarësisë por edhe sjellja e PD-së në pushtet për të qeverisur Shqipërinë. Përpos premtimeve që i kanë bërë edhe tjerët para tij, Selami nuk tregoi se si do t’ia arrijë t’i bëjë këto në PD-në momentalisht të shkatërruar.

Lulzim Basha i cili luan bukur me fjalët duke thënë se herë është e herë nuk është kryetar i PD të vë në gjumë me justifikimet e tij për gjithçka ka ndodhur në PD nën drejtimin e tij. Është i pakuptimtë kur thotë se “përgjegjësinë e marr unë për humbjen në zgjedhjet e 2017” dhe nga ana tjetër vazhdon që të kërkojë një tjetër mandat për të drejtuar demokratët. I vetmi justifikim për Bashën është shit-blerja e votës. A mund të blihen 200 mijë votues? Natyrisht që jo. Edhe pse një pushtet i konsumuar i të majtës, me përçarje brenda koalicionit, skandale apo edhe një shteti autoritar e ndëshkues për qytetarët arritën që të shtojnë numrin e deputetëve. Vetëm në Shkodër e djathta ka 30 mijë vota më pak, që do të thotë më shumë se 1/10 e 200 mijë votave minus.

T mobile In article [4]

Përtej këtyre analizave ajo që më goditi për të mos qenë përfundimisht kurrë pjesë e këtyre partive përsa kohë të jenë në këtë lloj bataku është kur fjalën e mori Agimi. Nuk arrita t’ia mësoj emrin por Agimi ishte një shofer i thjeshtë që Selamit iu drejtua duke i thënë se ke ardhur me katapultë nga Amerika. Këtu askush nuk u dëgjua. Sapo shoferi nisi të lëshojë akuza e kritika për Bashën e gjithë salla gumëzhiti kundër tij duke tentuar që t’i ndërpresë fjalën. U desh që Basha të ulërinte “lëreni të flasë, lërini të flasë” që ithtarët gjoja të Bashës të ulnin tonet në mënyrë që shofer Agimi të çonte deri në fund atë që tha. E kryqëzoi me të drejtë Bashën duke i thënë se thuajs e e ka shkatërruar PD-në dhe se është aty për të kërkuar një tjetër mandat vetëm për interesat e tij. Ia tha shkoqur se marrëveshja i tradhëtoi demokratët e po ashtu edhe shumë vendime të tjera. Sërish salla gumëzhiti kundër shoferit sikur të ishte armiku më i madh, nga ato të filmave me diversantë. Një PD që është mbyllur në guackë, që nuk lë mendimin e lirë dhe që nuk lë t’i bësh të paktën një pyetje kryetarit të ngrirë. Një keqardhje për gradën ku ka përfunduar PD. Tashmë askush nuk guxon të flasë se ujqërit të sulen mbi shpinë dhe pse jo mund të përfundosh edhe në spital. Por Agimit nuk iu dridh qerpiku dhe sfidoi të gjithë. Një nga herët e rralla që shoh një trim, tamam TRIM.

Nga ana tjetër shumë prej atyre që mbushin tavolinat me shumë diskutime a pretendime qëndruan pa folur. Mbase me të drejtë në këtë situatë ku ndodhet PD-ja mund të kenë bërë zgjedhjen e duhur por do preferoja atë që bëri Agimi. Shoferi trim. Përballë kryetarit të ngrirë, edhe pse i ngrirë pjesës më të madhe, atyre që kanë pretendime iu mbyll goja dhe nuk iu dëgjua zëri. Natyrisht një tjetër fallsitet dhe një lojë e pistë që bëhet. Kjo nuk sjellë asgjë tjetër veçse vijimësinë e shkatërrimit të PD. Basha nuk nguroi ta ekzagjeronte siç e tha edhe vetë, duke lënë të nënkuptohet se Jozefina Topalli për Bashën është një bllokmene që do pushtet. Basha edhe pse e di që ka gabuar ende nuk ka kërkuar falje për gabimet e tij. Sapo përfundoi takimi kryetari i ngrirë, i pyetur për ato që tha brenda sallës nuk nguroi t’i mohojë menjëherë duke më bindur edhe më shumë se këta gjithë ditën e gjithë natën nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë. Këtë e bëri sy më sy.

Askush nuk e vë në dyshim se Basha do marrë një tjetër mandat në krye të PD ashtu siç demokratët janë drejt një vetëshkatërrimi dhe askush nuk ia di fundin e hidhur të kësaj historie. Ajo për të cilën ndjej keqardhje është shkatërrimi i vlerave brenda PD por edhe shkatërrimi i opozitës në tërësi. Një vend pa opozitë nuk është gjë tjetër veçse i HUMBUR.