Nga Arian Galdini
Jam i vetmi, e këtë e them jo pa krenari, që kam shkruar e kam folur që në krye të herës kundër Dialogut shterpë Rama – Basha, e paskëtaj edhe kundër Marrëveshjes së 17 majit, që nuk mund të lindte asnjë fëmijë gjithashtu. Së paku nuk mund të lindte asgjë legjitime e aq më pak të vlefshme për demokracinë, shtetin dhe shoqërinë tonë, për vetë mënyrën, formatin dhe parimet mbi të cilat u arrit marrëveshja.
Në 3 muaj që zgjati Çadra e Lirisë, kam shkruar e kam folur pothuajse çdo ditë, në media dhe rrjete sociale, për atë që unë e quaja si alternativën e vetme që kishim si Opozitë, pra ose rrëzimin e Edi Ramës, ose dorëzimin tonë.
Kurrë nuk e kisha menduar se 17 maji do ta kthente Selinë e Kuvendit, në një Lokomotivë treni, ku Lideri i Opozitës shkoi për të shpallur kapitullimin tonë pa kushte, ende pa bërë ndonjë betejë a përballje reale.
Vetëm Çadra dhe dy Protesta masive, e një medemek bllokim rrugësh, nuk mjaftojnë për të folur për betejë a përballje reale.
Janë nxemje, por vetëm kaq. Mbetën një teatralitet krejt pa lidhje, pas asaj nate të 17 majit.
Unë doja e kërkoja dhe e kisha shkruar se isha për përballjen e madhe.
Sipas meje, çdo marrëveshje me Qeverinë e Mafias Estetike, do të ishte fatale dhe vdekjeprurëse për Opozitën dhe Opozitarizmin në Shqipëri.
Për të qenë më i qartë, unë jam proamerikan, proeuropian dhe rreptësisht kundër dhunës.
Me përballje, nuk nënkuptoj as djegje gomash, as thyerje xhamash, as luftë, por rezistencë në parime.
Trokitje në çdo zemër, mendje e shtëpi shqiptari për të ftuar sa më shumë prej tyre në qëndresë.
Kjo sigurisht kërkon vetëpastrim, reflektim, transformim brenda nesh si Opozitë, për të fituar me meritë e durim besimin e humbur dhe të thyer të qytetarëve shqiptarë, ndër vite.
Jo pastrim me urdhër e vendim Kryetari, por vetëpastrim me kulturim të ri, me garë e demokraci të brendshme dhe meritokraci.
Kur Lulzim Basha përbetohej se asnjë lëshim nuk do të kishte për kërkesat tona si Opozitë e Bashkuar, për mos-hyrje në zgjedhje pa Qeveri Teknike e pa garanci ligjore, politike dhe teknologjike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, unë besova se ndoshta vërtetë kishte lindur një lider në Shqipëri që ishte i gatshëm të jepte veten për kauzën dhe vendin. Besova, se ndonëse e gjithë shoqëria, e të gjithë ndërkombëtarët, po ulërisnin për zgjidhje të krizës me marrëveshje të pazarit të së mundshmes, mes nesh ishte lindur Lideri që i ka vizionet dhe këllqet për të shkuar përtej së mundshmes.
U gabova rëndë. Lulzim Basha jo vetëm që nuk bëri një marrëveshje me Edi Ramën në konturet e së mundshmes, por shkoi përtej sepse mori të panevojshmet.
Me një dëng me rraqe e xhingla të panevojshme politike e qeveritare, Lulzim Basha, erdhi si ata shitësit marokenë në Itali, e filloi të na mashtronte të gjithë neve miqve, bashkëpunëtorëve e aleatëve të tij, duke e nisur pazarin e çakmakëve 1000 euro, për tu lutur në fund që tia blinim edhe 1 euro.
Lau duart me ne aleatët si fillim, në një mbledhje ku bëri si Prestigjiator, që i duhej vetëm të na zhdukte kohën dhe mundësinë për të kuptuar marifetin e tij.
Pak ditë më vonë lau duart me gjithë Partinë Demokratike, duke bërë një Listë skandaloze kandidatësh për deputetë, që në fakt, sot përngjan dhe rrëfen më besnikërisht se çdo gjë tjetër profilin, botëkuptimin dhe sintezën e gjithçkaje është Lulzim Basha.
Më tutje hyri si somnambul në fushatë elektorale ku edhe pse Çadrën e Lirisë e kishte dorëzuar pa kushte tek Edi Rama, vijoi si për inerci me simbolet, fjalimin dhe skenogafinë e Çadrës.
Kjo i bëri konfuzë demokratët sepse Çadra Shëtitëse Elektorale u kujtonte PD-në e kapitulluar më 17 maj, e ishte si një provë e pamohueshme se Lulzim Basha po bënte fushatë nën hijen e Edi Ramës.
Edhe gjeografia e ligjërimit ecte nëpër shtigjet që hapte Edi Rama.
E niste Edi Rama me timon e tepsi, e vazhdonte Lulzim Basha me bakllava e sheqerpare. E niste Edi Rama me shushunja e parti gjobëvënëse, e vazhdonte Lulzim Basha me shpk dhe tezga.
Lulzim Basha u bë si ai Rojtari i Opozitës që kishte detyrë veç të numëronte delet demokrate që i hynin në vathë në darkë pasi i kishte rënë fyellit Bariu i Madh, Edi Rama.
25 qershori erdhi dhe Partia Demokratike u zgjua në dt 26, e copëtuar si kurrë më parë.
Ndërsa të gjithë prisnim një ndjesë të madhe nga Lulzim Basha dhe marrje përgjegjësie jo me fjalë por me akte, ndodhi krejt e kundërta.
Me fjalë Gim Gjuzi ka shitur edhe Sahatin e Tiranës dhe u ka firmosur letra e dhënë çelësat në dorë shumë njërëzve.
Përgjegjësitë meren me akte. Asnjë Lider pa Akte nuk është investim kaq i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm për shoqërinë.
Kjo përalla e Liderit si investim se ka mësuar të mbajë fjalime dhe bëjë debate, as në fiset zulu nuk do të pinte ujë.
Kush e do Liderin të bukur, që flet bukur, që debaton bukur, le ta marë në shtëpi të vetë.
Shoqëria ka nevojë për Liderë që bëjnë e ndërmarin akte. Kaq e thjeshtë është.
Që ky Lideri ynë si Investim madhor, të vinte e të na dilte kaq papërgjegjshmërisht përpara nën moton, unë jam ‘investimi juaj më i madh’ ndaj ose me mbani në krye ose më humbisni, këtë nuk e prisja. Sidomos nga një djalë i ri 43 vjeçar, që të gjithë fushatën elektorale e bëri me sfondin, unë kam.studiuar në Hollandë dhe kam edukim e formim perëndimor…
Unë i kam kërkuar drejtpërdrejtë Lulzim Bashës pas zgjedhjeve‎, te 25 qershorit që të bëjë akt.
Dhe ka dy akte që mund të bëjë një lider prej vërteti.
Ose jep dorëheqjen dhe hap krahun që Partia që ka humbur zgjedhjet të hyjë në një fazë të re e të ecë përpara, ose deklaron haptazi‎ mosdorëheqjen dhe motivimin e kësaj mosdorëheqjeje si vendosmëri për tu përballur qartazi me të gjithë ata që e kundërshtojnë në Parti. Nëse e bën këtë me qartësi, e nëse fiton pas një përballjeje me kundërshtarët brenda Partisë, nëpërmjet një gare të ndershme sigurisht, atëherë, askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje lidershipin e tij, së paku deri në garën e rradhës elektorale.
Basha as u dorëhoq, as po përballet. Ka zgjedhur‎ anashkalimin, marifetet, fjalimet e bukura ne TV e salla dhe sharësit e paguar ne facebook, blogje e analiza. Çka nuk.e bën dot vetë në përballje, e bën me sharës të paguar dhe analistë të shumëpaguar.
Kjo nuk shkon.
E ja ku jemi tani, lideri si investimi më i madh, po garon përballë ish-Kryetarit të Partisë Demokratike që u flak nga kreu i kësaj partie në vitin 1995, si të ishte investimi më i pavlerë.
Paradoks i papare ky. E njëjta parti në 22 vjet transformim. Në një garë si dëshmi se gjithçka është bërë keq e më keq.
Eduard Selamin, edhe pse në kulmin e rinisë dhe energjive të tij, e flakën asokohe tutje si ashkël, edhe pse ishte Kryetar Partie.
Lulzim Bashën duan ta mbajnë Kryetar Partie sepse e quajnë investim.
Dikë e zhvleftësojnë, të tjerë i përzënë, e bëjnë tokë të djegur dhe pastaj thonë se ky që kemi mbi krye është i vetmi që kemi…
A ka kuptim kjo?
Padrejtësisht edhe të gjithë ata që kundërshtojnë e kritikojnë Lulzim Bashën, i janë turrur me sharje e fyerje edhe Eduard Selamit.
E quajnë kandiat të stisur. Nuk kam prova për këtë që po them, por do të doja të shihja prova edhe nga ata që e akuzojne si kandidat te sajuar Eduard Selamin, por unë nuk e besoj se ai është i tillë.
Unë e shoh Eduard Selamin si fatin e pashmangshëm të një partie që ka vite që ka rënë në dekadencë të plotë dhe mungesë të theksuar demokracie e vetëdijësimi.
Ish investimi që u hodh si lënishte vjen përballë investimit që po kërkon të rrijë në krye, qoftë edhe duke e kthyer Partinë Demokratike në algë të vdekur anës detit.
Ish investimi vjen përballë investimit që po bëhet e shpërfaqet më i madh e më vanitoz sesa mund ta mbajë partia.
Me këto që po shkruaj nuk po mbaj anën e askujt. Thjesht po shkruaj besnikërisht dhe sinqerisht të vërtetën si e shoh dhe e kuptoj unë. E theksoj, nuk pretendoj të vërtetën. E them dhe e shkruaj, si e shoh dhe kuptoj unë, të vërtetën.
As po mar përsipër të jem i anësuar në garën për kreun e PD, e as të gjykoj a jap receta për çfarë duhet të bëjë PD e si duhet të sillen mëtonjësit në PD.
Kam vetëm disa të vërteta të pashmangshme ndonëse të ashpra e të hidhura për Lulzim Bashën, si aleat e mik i tij e si njeri që kam shkruar e folur gjatë pro tij në të shkuarën.
Nuk po them as se këto të vërteta sipas meje, po thuhen e shkruhen me qëllim zhbërjen dhe sprapsjen e Lulzim Bashës. Aspak. Raportin me të vërtetën e kam pa axhende, pa llogari, pa qëllime të vogla. Mendoj dhe besoj se thënia e së vërtetës na çliron të gjithëve. Mund të gjejmë vlera e parime në vijimësi, vetëm nëse kalojmë nëpër udhët e vështira dhe të hidhëta të së vërtetës.
Si aleat i PD, si ish- anëtar i PD për gati 20 vite, kam vetëm një ngasje e qëllimësi, ripërtëritjen e PD dhe të qendrës së djathtë.
Droja ime është se kjo garë e Bashës dhe Selamit për Kreun e ri të PD, është një tjetër turravrap për moskuptim, mosreflektim, e mosvetëdijësim mbi realitetin.
Kjo garë më shumë e ka ngërthyer PD ne kurthin e saj historik mes rivendikimit për drejtësi të ish-Kryetarit dhe ankthit për rikonfirmim të Kryetarit. Trajektorja e tyre personale dhe politike, shenjon dekadencen dhe mbylltësinë që ka PD, sot. Kryetari që do të rikonfirmohet për të qenë e nesërmja, nuk po mundet të gjejë fuqi argumentash për të tejkaluar në botëkuptim e vizion, ish-Kryetarin që vjen nga e djeshmja, për tu ribërë Kryetar në kohët e reja.
Është e tmerrshme, ta mendosh sesi kjo Parti nuk kërkoi, as gjeti mundësinë, dëshirën dhe vullnetin për tu hapur, për të bashkuar njerëzit më të vlerë ndër vite, për të miratuar një kartë vlerash dhe lirie, rregulla loje të ndershme, e paskëtaj të hapte garën për të nesërmen.
Kështu si është PD tani, vetëm.sa kaurdiset në mbylltësinë dhe qorrollepsjen e saj.
Kështu si është PD tani, gara për Kryetar ka vetëm dy vizione politike para saj, ose bashkëqeverisjen e vendit PS-PD, ose bashkëqeverisjen e Opozitës PD – LSI.
Alternativa dhe vizioni i Opozitarizmit si shans për transformim të brendshëm vleror, reflektim, vetëdijësim dhe ripërtëritje e ringritje si në dhjetorin ’90 e marsin ’92, pothuajse nuk ekziston.
Gara Basha – Selami mbyll ciklin e PD-së ç’ka qenë e ç’ka s’do të jetë dot më kurrë.
Ndoshta do të ishte më mirë që këta të dy dhe gjithë mëtonjësit, ta shpallin këtë si garë e zgjidhje tranzitore, e së bashku të gjithë të rihapin PD ndaj vlerave, lirisë dhe parimeve, që pas disa muajsh a ndoshta 1 viti të ribëhet një garë e re e ndershme dhe meritokratike.
Përndryshe, kot e kanë. Do kenë së bashku një PD si frymë të vdekur, e këta vetëm do tia bëjnë fundin më të bukur.
Një PD e lirë dhe vlerore, mund të jetë e të gjithë neve, me të gjithë ne.
Një PD vetëm e Kryetarit dhe ish-Kryetarit e cilitdo mëtonjës tjetër, do të jetë një rezervat cironkash i mbushur me balena.
Askush nuk do të mbijetojë dot.