Qeveria franceze deklaroi të mërkurën se do të shkurtojë kohën e përpunimit të kërkesave për pajisje me vizë turistike dhe të pritjes për hyrje në aeroportet e vendit, me synim përmirësimin e zhvillimit të turizmit.

Franca aktualisht ka zbatuar një politikë të lëshimit të vizave brenda 48 orëve për 8 vende, duke përfshirë Kinën, Singaporin, dhe Afrikën e Jugut. Ndërkohë vizat turistike në grup për shtetasit kinezë mund të merren brenda 25 orëve.

Franca planifikon që të zgjerojë këtë politikë para qershorit të vitit 2018, duke përfshirë në këtë listë dhe 10 vende të reja, si Rusinë, Tajlandën dhe Indinë. Shtetasit e këtyre vendeve do të mund të marrin viza turistike brenda 48 orëve.

Qeveria franceze premtoi gjithashtu se do të shkurtojë kohën e pritjes për hyrje në aeroportet franceze që nga 1 janar 2018.

Shtetasit e vendeve anëtare të BE-së mund të hyjnë në Francë duke pritur në aeroport deri në 30 minuta, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera mund të hyjnë brenda 45 minutash. Përveç kësaj, Franca do të shkurtojë edhe kohën e marrjes së rimbursimit të taksave dhe do të përmirësojë aftësitë profesionale të punonjësve të turizmit.

Qeveria ritheksoi qëllimin për të pritur 100 milionë turistë të huaj. Deri në vitin 2020 Franca synon të arkëtojë nga turizmi 50 miliardë euro në vit. /CRI