Drejtimi i reformave të cilat i propozojmë si Qeveri, rrjedhin nga Programi për Punë i Qeverisë 2017-2020, kurse merr parasysh Marrëveshjen Politike të Përzhinos, rekomandimet nga takimet në nivel të lartë me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e Komesionerit Han në seancën e veçantë të Qeverisë, udhëzimet e Komisionit Evropian në Reformat Urgjente Prioritare të vitit 2015, dhe të gjitha dokumenteve tjera zyrtare përfshirë këtu edhe rekomandimet për Qeverinë nga vitet e kaluara nga Organet e Këshillit të Evropës siç janë Komisioni i Venedikut dhe GREKO dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR; nuk kemi harruar as rekomandimet dhe sugjerimet e shoqërisë civile si dhe rezultatet nga konsultimet me shoqëritë civile.

Kriza e gjatë politike dhe mospranimi i rekomandimeve nga të gjitha institucionet ndërkombëtare të cilat i përmenda, na sollën deri në situatë të kualifikohemi si “shtet i bllokuar” dhe të marrim vlerësim për kthim mbrapa në reforma dhe dalje nga rruga euro-atlantike.

Kjo Qeveri, me aktivitetet tona të deritanishme dhe me këtë Plan, tregon dhe do të dëshmojë se duam që Maqedoninë ta kthejmë aty ku përket, në shoqërinë Euro-atlantike, me reforma të cilat do të na afrojnë kah standardet evropiane-perëndimore për demokraci dhe liri njerëzore.

Të nderuar,

Sot para jush prezantojmë pjesën e parë të Planit 3-6-9, i cili përmban objektiva, principe, si dhe hapa konkrete për realizimin e detyrimeve të ndërmarra në afat të shkurtër, dhe të cilat duhet të zbatohen në tre muajt e ardhshme, ose deri para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Masat tjera të cilat do të përpunohen më detajisht nga ana e institucioneve përgjegjëse, do të hynë në grupin e dytë dhe të tretë të masave të cilat duhet të realizohen deri në nëntor/dhjetor ose deri para mbajtjes së Këshillit të BE-së në dhjetor, si dhe ato të cilat do të duhet të realizohen deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, ose deri para publikimit të raportit të radhës të Komisionit Evropian për Maqedoninë.

Më lejoni të prezantoj një pjesë të fushave si dhe një pjesë të përmbajtjes të Planit 3-6-9:

               I. Në fushën e zgjedhjeve:

Vërejtjet dhe rekomandimet e përfshira në raportet e OSBE/ODIHR dhe ato të dhëna nga ekspertët e Komisionit të Venedikut, për zgjedhjet e mbajtura. – Qeveria i pranon.

Në afat të shkurtër, masat do të fokusohen në mbështetjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për konsolidimin e saj të brendshëm dhe përforcimin e kapaciteteve të tyre, në kontekst të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, duke përfshirë edhe azhurimin e Listës Zgjedhore, trajnimin e administratës zgjedhore dhe të votuesve.

Në këtë drejtim, disa nga aktivitetet e planifikuara janë: ekipim gradual i Komisionit Shtetëror Zgjedhor; rekomandim për Komisionin për transparencë gjatë mbajtjes së seancave; krijimi i një mekanizmi për përgjegjësi të drejtorit të Shërbimit Radiodifuziv Publik nëse në raportin e radhës të OSBE/ODIHR konstatohet raportimi i pa balancuar për procesin zgjedhor etj.

              II. Në fushën e gjyqësorit

Vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, më konkretisht të Komisionit të Venedikut dhe GREKO dhe të gjitha dokumentet tjera relevante, me të cilat parashihet që në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë të ndërtohet një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshëm, profesional dhe efikas – Qeveria i pranon.

Në afat të shkurtër, Qeveria do të bëjë rishqyrtim të Propozim Strategjisë për reformimin e sistemit gjyqësor dhe do të fillojë të krijojë ambient të një gjyqësori të lirë, pa presion politik, në mënyrë që të sigurojmë hapësirë ​​edhe për ndryshimet e nevojshme legjislative në afat të mesëm dhe të gjatë.

Në këtë fushë, disa nga aktivitetet janë: heqja e Ligjit për verifikimin e fakteve dhe përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe, në këtë drejtim, ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Këshillin Gjyqësor; formimi i një grupi të ri punues për rishqyrtimin e Propozim Strategjisë për reformën e sektorit të drejtësisë në përputhje me rekomandimet e KE-së, Komisionit të Venedikut dhe GREKO; përforcimi i kapaciteteve kadrovike të Avokatit të Popullit; mbështetje e plotë e punës së Prokurorisë Speciale Publike etj.

             III. Në fushën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit

Në drejtim të avancimit të implementimit të elementeve legjislative nga Marrëveshja Kornizë, Qeveria do të përgatisë Propozim-ligj për përdorimin e gjuhëve i cili më pas do të dorëzohet për konsultime në Komisionin e Venedikut dhe në Kuvend.

              IV. Në fushën e mediave

Rekomandimet e përmbajtura në raportet e KE-së, ekspertëve të Këshillit të Evropës, etj për publikimin e informacioneve me interes publik për qasje të lirë për publikun; për ndërtimin e një marrëdhënie partneriti me asociacionet e mediave dhe shoqërisë civile; për rregullimin e reklamimit komercial të Qeverisë, si dhe për profesionalizimin e shërbimit radiodifuziv publik – Qeveria i pranon.

Një pjesë e aktiviteteve parashikojnë: Vendim për ndalim të reklamave qeveritare tek transmetuesit komercial, publikim të të gjitha shpenzimeve për reklamim të Qeverisë dhe shpjegim të kritereve për përzgjedhjen e mediave për periudhën 2008-2017, në formatin e dorëzuar nga Komisioni Evropian; organizim konsultimi publik me mediat, shoqatat e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile; organizim brifingu javor të Qeverisë me mediat, etj.

            V. Në fushën e punës së Kuvendit:

Kemi marrë parasysh rekomandimet e shënuara në Raportet e KE-së dhe rezolutat e Parlamentit Evropian për kthimin e ambientit demokratik në shtëpinë më të lartë ligjvënëse, kthimin e dialogut politik, si dhe bashkëpunimin mes të gjitha partive, duke përfshirë edhe opozitën. Do të bashkëpunojmë nga afër me Kryetarin e Kuvendit dhe me Kuvendin në përgjithësi për të arrirë këtë qëllim, në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Përveç kësaj, Qeveria do të kontribuojë në zbatimin e plotë të rekomandimeve të shënuara në raportin e Komisionit Hetimor për verifikimin e gjendjeve pas ngjarjeve të pakëndshme të datës 24 dhjetor 2012, veçanërisht aktuale pas ngjarjeve të datës 27 prill 2017.

Qeveria inkurajon partnerët e koalicionit dhe shumicën në Parlament, në një bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë me opozitën, të sigurojnë që funksioni mbikëqyrës i Kuvendit dhe organeve parlamentare ndaj punës së Qeverisë dhe shërbimeve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, të jetë një punë e rregullt dhe rutinë, me shkallën më të lartë të mundshme të transparencës dhe gjithëpërfshirjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Qeveria është e gatshme që përveç seancave të rregullta me pyetje nga deputetët të mbahen edhe seanca tematike me pyetje nga deputetët, njëherë në javë me kohëzgjatje prej një ore, dhe të sigurojë pjesëmarrje në nivel ekspertësh për elaborim të propozim ligjeve para organeve të Kuvendit. Qeveria angazhohet për rikthimin e rolit thelbësor mbikëqyrës të Komisionit për mbikëqyrje të punës së Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencionit të Inteligjencës dhe të Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të masave të posaçme hetimore për ndjekjen e komunikimeve etj.

 

Në kuadër të Planit 3-6-9 janë paraparë edhe parime, masa dhe aktivitete që kanë të bëjnë edhe me fusha të tjera siç janë reforma e shërbimeve të sigurisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma e administratës publike, përfshirja e shoqërisë civile, migracioni etj. Për të gjitha këto fusha janë identifikuar mangësitë dhe vërejtjet aktuale, dhe janë definuar hapa specifike për tejkalimin e këtyre sfidave.

Krahas prioriteteve në këtë plan, sigurisht se nuk do ti harrojmë edhe detyrimet tjera të ndërmarra dhe paralelisht do të punojmë në implementimin e tyre në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Të nderuar,

Zbatimi i këtyre reformave nuk paraqet vetëm një detyrim që ne kemi marrë para partnerëve tanë ndërkombëtarë, por edhe një parakusht i nevojshëm për të ndërtuar një demokraci funksionale, shoqëri të qëndrueshme dhe ekonomi konkurruese. Pritja e gjatë para dyerve të Bashkimit Evropian na tërheq pas, dhe, siç e pamë gjatë dy – tre viteve të fundit, na dërgoi në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Këtë dritare mundësish që tani hapet për ne, këtë moment të ri të një optimizmi të përgjithshëm, si në vend ashtu edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ne duhet ta shfrytëzojmë dhe duhet të japim rezultate.

Në këtë drejtim do të bëj një thirrje të sinqertë edhe për faktorët tjerë në këtë proces për kontributin e tyre konkret, së pari deri tek institucionet tjera shtetërore siç janë: Prokurori Publik, Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publik, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit, si dhe tek të gjitha institucionet e tjera të cilat janë të pavarura në punën e tyre. I thirr edhe ata të ngriten në nivelin e detyrës dhe të marrin përgjegjësi për zbatimin dhe realizimin e reformave të parapara, pasi edhe puna e tyre është objekt i monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm nga ana e publikut.

Në fund dua të bëj një thirrje të veçantë edhe për opozitën. Ky nuk është proces vetëm i një Qeverie ose një subjekti politik. Ky është një proces i gjatë në të cilin çdo qeveri ka ndërtuar vlerën e saj autentike. U bëj thirrje liderëve politik të opozitës por edhe të qeverisë, të tregojnë maturi politike, e cila, në vitet e fundit treguam se na mungon. Qytetarët janë të lodhur prej nesh dhe me të drejtë kërkojnë rezultate të shpejta. Ata presin që ne të veprojmë me seriozitet dhe në këtë drejtim nuk kemi më të drejtë të gabimit. Tani është koha e duhur për të menjanuar interesat tona personale, partiake apo interesa etnike. Para nesh gjendet një sfidë njerëzore mbi-kombëtare, sfidë që të mbyllim çështjet e hapura dhe të bëjmë hap serioz në integrimin tonë evropian dhe euroatlantik.

Faleminderit,