Gjykata Speciale, tashmë ka filluar punën e saj në Kosovë. Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tashmë këtë Gjykatë nuk e pengon asgjë që të ngritë aktakuzat ndaj atyre që do të ulën në karrigen e “nxehtë” të të akuzuarve.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë filluar punë që prej vitit të kaluar, mirëpo me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara janë tërësisht funksionale në aspektin gjyqësor. Duke filluar që nga dita e mërkurë, nuk ka kurrfarë pengesash ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi apo aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në reagimin e kësaj Gjykate pas vendimit të Kushtetueses.

Por, në ditën që Specialja paralajmëroi se mund të nis arrestimet dhe ngritjen e aktakuzave në Kosovë, shpërthyen arrestimet, ku nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it u arrestuan Alban Dizdari, Bajram Kiçmari dhe Faik Shaqiri, i ekstraduar nga Gjermania.

Këta të tre akuzohen për vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe për tentim vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të këtij misioni në vitin 2004.

Po ashtu, ka pasur raportime që është bastisur edhe shtëpia e Agron Sylejmanit, i vrarë në një përleshje me Policinë e UNMIK-ut, por që këtë bastisje e ka mohuar për gazetën “Bota sot”, Driton Sylejmani, vëllai i Agronit.

“Nuk ka diçka të vërtetë në këtë informim, edhe e kam bërë edhe tek ju një demantim të asaj informate. Nuk ka qenë askush as në Prishtinë, as në fshatin Krushevicë, por ka qenë vetëm një dezinformatë nuk po di e kujt e Prokurorisë, policisë apo gazetarisë apo e kujt po nuk e di as unë”, ka deklaruar Driton Sylejmani për gazetën “Bota sot”.

Ai ka mohuar akuzat që drejtohen ndaj vëllait të tij, ku Agron Sylejmani është akuzuar nga Imer Imeri për vrasjen e vëllait të tij Haki Imerit, si dhe vrasjen e gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit. Por për të gjitha këto, Dritoni përgjegjës e bën presidentin aktual të Ksoovës, Hashim Thaçin.

Edhe pse këto arrestime është thënë që nuk kanë të bëjnë asgjë me punën e Gjykatës Speciale, nisja e tyre bash në ditën kur paralajmëroi Specialja është mjaft e dyshimtë.

Po ashtu, pas paralajmërimit të Speciales, në media u publikua edhe një raport shokues i prokurorit të EULEX-it, për trazirat e Marsit të 2004-ës në Kosovë.

Sipas këtij raporti, prokurori Italian Danilo Cecareli  ka fakte se udhëheqësit ishin ish eprorë të UÇK-së dhe njerëz me poste politike në atëkohë kishin nxitur këto trazira.

“Në fundin e vitit 2000 disa ish luftëtarë të UÇK-së krijuan një grup me qëllimin për të luftuar një luftë të fshehtë me qëllim të marrjes së kontrollit në të gjithë territorin e banuar me shqiptarë në Kosovë”, thuhet në dokumentin e siguruar nga kallxo.com.

Sipas raportit të EULEX, ky grup merrte urdhra nga krerë të lartë të UÇK-së, ku ata ishin të përfshirë në disa vrasje sulme terroriste, prita, rrëmbime dhe krime të tjera të renda.

“Grupi prej shtatë apo tetë personash besohet të jenë përgjegjës për sulmin ndaj një makine të policisë së UNMIK-ut ku po udhëtonin tre shtetas të Kosovës dhe një ndërkombëtar. Më 23 mars 2014 pjesëtarët e grupit ishin në fshatin Shtedime të Podujevës ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK-ut”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Sipas, këtij raporti shokues ky grup  kishte armë dhe municione dhjetëra kallashnikovë pushkë të tjera martallozë 12.7mm, dhjetëra granata.

Po ashtu, edhe deputeti nga Nisma për Kosovën, ka paralajmëruar se presidenti Thaci do të jetë cak i sigurtë i Gjykatës Speciale, duke mos përjashtuar edhe krerët tjerë të SHIK-ut.

“Gjykata Speciale, sipas te gjitha gjasave, do te ngrite te paktën katër aktakuzat e para, ne funde te korrikut, dhe ne fillim te gushtit te këtij viti.Ne goditjen e pare, PDK do te pesoje e para, mirepo edhe partitë e tjera do te jene ne shënjestër. Presidenti Thaçi është cak i sigurte, po krejt kjo varet nga renditja e zinxhirit komandues. Krerët e larte te ShIK ut do te përfundojnë ne Hagë”, kishte paralajmëruar Zeka.

Ndërsa, qytetarët në Kosovë, e sidomos familjarët e viktimave që pësuan nga vrasjet politike, e ku pothuajse shumica prej tyre ishin nga radhët e LDK-së, Gjykatën Speciale e shohin si mundësinë e fundit që të bardhen njëherë e mirë këto vrasje, pasi deri me tani për zbulimin e tyre kanë dështuar UNMIK-u, Drejtësia vendore dhe EULEX-i./Bota Sot/