Sot në Luzern të Zvicrës, Fatmir Izairi dhe Komuna e Zhelinës vlerësohen me çmimin Flamuri i Evropës” dhe Çertifikatën Ndërkombëtare të Ekselencës në Investime dhe Inovacione( ICEII). Çmimi ndahet nga Asambleja e Biznesit Evropian-EBA( Oksford, Britani e Madhe).

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, i pari i komunës z.Izairi falenderoi organizatorët për këtë vlerësim duke shtuar se e pranon këtë çmim me krenari dhe përulësi e cila do të qëndroj si rikujtim i asaj sa është bërë në komunë dhe sa akoma mbetet për t’u bërë. “Jemi krenarë që përpjekjet tona ndërkombëtarisht vlerësohen dhe do të vazhdojmë të punojmë që Komunës t’i krijohet imazh pozitiv dhe atraktiv për tërheqjen e investimeve të huaja”, nënvizoi ai.

Në kuadër të konferencës, z.Izairi zhvilloi takime me z.John Netting, Drejtorë Gjeneral i Asamblesë së Biznesit Evropian të cilit i dhuroi suvenir Urën e vjetër të gurit në Zhelinë, si dhe takime me biznesmen/investitorë nga Evropa, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kryetari i komunës së Zhelinës pranoi edhe çmimin për komunën e Bogovinës. “Sot është një ditë e gëzuar për ne, por edhe një dhimbje e madhe sepse sot pranoj këtë çmim edhe për mikun tim të ndjerë z.Hazbi Idrizin. Hazbi, njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kur ikin nga kjo botë” tha ai.