Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi sot se është shumë e rëndësishme që Iraku fqinj të mbetet vend i bashkuar dhe se referendumi i planifikuar i kurdëve për pavarësi nuk duhet të mbahet.

Autoritetet në rajonin kurd të Irakut kanë planifikuar të mbajnë referendumin për pavarësi më 25 shtator dhe presidenti i Qeverisë rajonale kurde ka theksuar javën e kaluar, se nuk duhet të ketë kthim prapa nga përpjekja për shtetin e pavarur kurd.

“Rëndësia e integritetit territorial të Irakut po rritet nga dita në ditë”, tha Erdogan në konferencën për naftën në Stamboll.

“Ata duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të tillë si referendumi për pavarësinë”, shtoi Erdogan.

Turqia, me dekada të tëra, lufton kurdët në territorin e saj që përpiqen për më shumë autonomi.