Të paktën 300 000 njerëz janë infektuar nga shpërthimi i kolerës në Jemenin e dërrmuar nga lufta civile gjatë 10 javëve të fundit, një kërcënim që duket shumë më i rëndë se sa plumbat dhe bombat.

Komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq që dha alarmin tha se situata ka dalë jashtë kontrolli me rreth 7 000 infektime të reja në ditë.

Sipas zyrtarë të kësaj organizate, më shumë se 1700 njerëz kanë humbur jetën për shkak të kolerës gjatë muajve të fundit në Jemen. Ekspertët në terren raportojnë se sistemi shëndetësor, ai i furnizimit me ujë dhe i pastrimit publik është në kolaps të plot pas 2 vitesh lufte mes rebelëve Huthi dhe forcave pro qeveritare.

Kolera shkaktohet pikërisht nga konsumi i ujit apo ushqimit të ndotur. Në shumicën e rasteve, të intelektualit nuk shfaqin simptoma, ose i kanë shumë të lehtë. por tek rastet e rënda, vdekja vjen brenda pak orësh nëse sëmundja nuk trajtohet.

Më 24 Qershor, Organizata botërore e shëndetit tha se Jemeni po përballet me epideminë më të rëndë të kolerës në botë me rreth 200 000 të infektuar.

Në pak më shumë se dy javë, numri është rritur me 100 000 të tjerë. Kryqi i kuq tha se numri mund të jetë edhe shumë më i madh, pasi shumë njerëz i fshihen luftës dhe nuk janë paraqitur në qendra shëndetësore, diçka që shtone dhe më shumë rrezikun e përhapjes së mëtejshme të epidemisë.

Sipas OKB, shpërthimi i kolerës në Jemen është pasojë direkt e luftës civile, pasi mbi 14,5 milion njerëz nuk kanë akses në ujë të pastër dhe shërbim shëndetësor. OKB thotë se duhet ndalur lufta dhe duhen riparuar sistemet e dëmtuara, përndryshe kolera në vend do të shndërrohet në një katastrofë njerëzore.