Suksesi i xhudistes Majlinda Kelmendi, në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka shtyrë shtetin e pasur, Emiratet e Bashkuara Arabe, të hapë Akademi për të zhvilluar talentet e rinj në xhudo. Kelmendi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të mbajtura verën e kaluar në Brazil, dhe kështu ia bashkoi atë medaljeve të tjera të arta nga botërorët dhe evropianët, shkruan sot Koha Ditore.

“Duke shikuar Majlinda Kelmendin nga Kosova, teksa fitoi medaljen e artë në xhudo në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, ishte pikë kthese për Sultan Al Kitbes. Ish-xhudisti i Emirateve të Bashkuara Arabe që fitoi medaljen e artë në Kampionatin e Gjirit Persik dhe në të Azisë Perëndimore në vitet 2006 dhe 2007, ishte habitur se si një vend me popullatë më të vogël se Emiratet mund të jetë aq i suksesshëm në skenën e madhe botërore. Ato imazhe u përsëritën në kokën e Al Kitbes disa herë, dhe sa më tepër që mendonte për këtë aq më serioz bëhej plani i tij. Ai nisi të punonte në një plan për të krijuar një rrugë për të zhvilluar talentet e rinj të vendit”, shkruan “thenational.ae” të mërkurën, në një tekst për planin e EBA-s për zhvillimin e xhudistëve.

Titan Sports Academy është projekti i ish-xhudistit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan Al Kitbes. Kjo akademi është inauguruar në maj të këtij viti me ndihmën e Federatës së Emirateve të Mundjes, Kikboksit dhe Xhudos. Frymëzimi është gjetur në Kosovë.