Kuvendi sot në fillim prej ora 12.00 do ta vazhdojë seancën e gjashtë në të cilën debatohet për zgjedhjen e Spase Gligorov për drejtor të Agjencisë së Administratës. Krahas zgjedhjes së Gligorovit, në rend dite të kësaj seance është edhe shkarkimi i prokurorit publik Marko Zvërlevski. Në seancën e djeshme zëvendësministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Alleksandar Bajdevski, u shpreh se Gligorovi i plotëson të gjitha kushtet ligjore dhe konsideron se është i përgjegjshëm dhe se në mënyrë profesionale do ta ushtrojë punën e vet. Opozita, VMRO-DPMNE vlerësoi se zgjedhja e Spase Gligorovit do të jetë e paligjshme dhe se me të LSDM-ja do ta partizojë administratën. Meqë në rend të ditës është edhe shkarkimi i Zvërlevskit, për këtë kanë shprehur përkrahje shumica e partive parlamentare, përveç VMRO-DPMNE-së të cilët dje kërkuan që vendin e tij ta zë përfaqësues i tyre, ngaqë siç u shprehën ata, kështu edhe ka premtuar kryeministri Zoran Zaev gjatë fushatës zgjedhore. Mirëpo, për këtë u sqarua Zaev, duke thënë se prokurori publik do t’i takojë opozitës pas dy vjetëve. Ndryshe, propozimi që Zvërlevski të shkarkohet nga funksioni i prokurorit publik është parashtruar nga Qeveria e RM-së, siç theksohet në shkrimin deri te Kuvendi, në mënyrë të paligjshme, jo në kohë dhe kryerje e pamjaftueshme e kryerjes profesionale të funksionit. Gjithashtu, në dokument theksohet edhe se Zvërlevski me sjelljen dhe veprimin e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit, si dhe për shkak të asaj që nuk ka parashtruar kërkesë për ngritje të procedurës penale për raste të parapara me ligjin dhe prishjen e imazhit të funksionit.