Ekspertët vlerësojnë se kontrolli më efikas ndaj punës së policisë është përmes ombudsmanit policorë. Një institucion i ngjashëm i Avokatit të Popullit i themeluar posaçërisht për qasjen e policisë, do të ndikonte në reformimin e sistemit të sigurisë, ndërsa ekzekutivi do të kishte më pak mundësi për keqpërdorimin e uniformave blu. Ish ministri i Brendshëm, Pavle Trajanov, vlerëson se për këtë çështje duhet analizë e detajuar dhe asistencë nga sektori civil.

Duhet analizë rrënjësore e sistemit të sigurisë, si është ndërtuar ai dhe si të mundësohet ndonjë mënyrë e kontrollit civil. Ombudsmani është njëri ndër mekanizmat për kontroll ndaj shërbimeve të sigurisë, policëve dhe të MPB-së në përgjithësi – deklaroi Pavle Trajanov, ish ministër i Brendshëm.

Në lidhje me anashkalimin e mjeteve për dhunë, ashtu siç rekomandon edhe raporti i Pribesë për plumbat e gomës dhe paralizuesit elektrik, Trajanov konsideron se policisë profesionale nuk i nevojiten mjete dhune.

Jam kundër përdorimit të plumbave prej gome pasi që rreziku ndaj atyre që përdoren është i shkallës së lartë. Fundja praktikat e deritanishme kanë treguar se plumbat e gomës nuk kanë shërbyer si mekanizëm për dhunë – tha Pavle Trajanov, Ish ministër i Brendshëm.

Avokati i Popullit së fundi në Kuvend ka kërkuar ndryshime në Ligjin për Avokatin e Popullit me qëllim që ky i fundit bashkërisht me sektorin civil të instalojë mekanizma për kontroll të jashtëm të punës së policisë. Megjithatë, pozita dhe opozita preferojnë modelin e ombudsmanit policorë. Në raportet e viteve të fundit, Avokati i Popullit ka konstatuar keqpërdorime të policisë, shërbimeve të sigurisë dhe ushtrim dhune. Në disa raste ky institucion është penguar të veprojë, ndërsa në lidhje me skandalin e përgjimeve ka hasur në injorim total. Ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit janë në procedurë parlamentare./alsat-m