Një gjykatë ruse dënoi sot udhëheqësin e një grupi të hakerëve me dy vjet heqje lirie, pas sulmeve në llogaritë e zyrtarëve të lartë në rrjetet shoqërore.

Vladimir Anikejev, i cili udhëheq grupin e hakerëve Hampti-Dampti, është akuzuar për sulm në llogarinë Twitter të kryeministrit rus  Dmitri Medvedev. Anikejev, i cili ndodhet në paraburgim që nga arrestimi në tetor 2016, akuzohet se ka pasur qasje të paautorizuar në të dhënat e kryeministrit rus.

Grupi i hakerëve në vitin 2014 ka marrë përgjegjësinë për sulmin në llogarinë Twitter të kryeministrit rus. Grupi në emër të Medvedev ka shkruar porosinë se ai po e lëshon postin e tij të kryeministrit për t’u bërë fotograf. Në këtë porosi ishte kritikuar presidenti rus Vladimir Putin.

Ndryshe, grupi fillimisht ishte prezantuar si grup i hakerëve kundër Kremlinit, por disa hakerë më vonë pranuan se u kanë shitur informacione atyre që iu kanë ofruar më tepër para.