Dy turiste, të cilat u vranë me thikë në vendpushimin Hurgada në Detin e Kuq janë gjermane, e jo ukrainase, siç u kumtua paraprakisht, deklaroi gjeneralmajor Mohamed el Hamzavi.

Ai shtoi se mes katër të lënduarve, dy janë nga Polonia.

Ambasadori i Ukrainës në Egjipt, Gnedij Latig përgënjeshtroi se turistet e vdekura janë shtetase ukrainase. Gjithashtu, theksoi se mes të lënduarve është edhe një ruse, e cila është e lindur në Ukrainë.

Paraprakisht u publikua se në sulm janë lënduar tre serbë dhe një shtetas i Polonisë. Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë njoftoi se në sulmin në Hurgada nuk ka shtetas të lënduar serbë.

Sipas një përfaqësuesi anonim egjiptian të sigurisë sulmuesi ka planifikuar të vrasë vetëm të huaj.

“Djali në moshë rreth njëzet vjet gjatë sulmit në gjuhën arabe bërtiste: Largohuni nuk dua egjiptian”, theksoi burimi anonim.

Sulmuesi është arrestuar, ndërsa ende konfirmohen motivet për sulmin.