Të pish më shumë kafe mund të çojë në jetë më të gjatë, thonë dy studime të reja të publikuara këtë javë.

Zbulimet kanë rikthyer në skenë debatin shekullor mbi efektet shëndetësore të kafesë.

Një studim ka intervistuar mbi 520 mijë njerëz në 10 shtet evropiane, duke e bërë atë studimin më të madh mbi kafenë dhe vdekshmërinë deri më sot, dhe ka gjetur se të pish më shumë kafe mund të ulë në masë të dukshme rrezikun e atij personi për vdekshmëri, raporton CNN.

Studimi i dytë është më i pazakontë, pasi u përqendrua tek popullatat jo të bardha. Pas anketimit të mbi 185,000 afro-amerikanëve, amerikanëve autoktonë, havajanëve, japonezo-amerikanë, latinë dhe të bardhë, studimi gjeti se kafeja rrit jetëgjatësinë në raca të ndryshme, transmeton Koha.net.

Njerëzit që konsumonin dy deri në katër filxhanë kafeje në ditë kishin 18 për qind më pak rrezik nga vdekja në raport me njerëzit që nuk pinin fare kafe, thotë studimi. Këto gjetje janë në përputhje me studimet e mëhershme që kanë studiuar në masë të madhe popullatat me ngjyrë të bardhë, thotë Veronica Wendy Setiawan, profesoreshë e asociuar e mjekësisë preventive në Shkollën e Mjekësisë “Keck” të USC-së, që ka udhëhequr studimin për popullatat jo të bardha.

“Marrë për bazë këto popullata shumë të ndryshme, të gjithë këta njerëz kanë stile të ndryshme të jetesës. Ata kanë shumë shprehi të ndryshme dietare dhe ndjeshmëri të ndryshme – megjithatë kemi gjetur shumë mostra të ngjashme”, ka thënë Setiawan.

Studimi i ri tregon se ekziston një mundësi më e fortë biologjike për marrëdhënien mes kafesë dhe jetëgjatësisë dhe ka gjetur se vdekshmëria është e lidhur ngushtë me konsumin e kafesë për sëmundje të zemrës, për kancerin, sëmundjet e frymëmarrjes, sulmet në zemër, diabetin dhe sëmundjet veshkore.

Studimi në vendet evropiane ka zbuluar një ndërlidhje kundërshtuese mes kafesë dhe sëmundjeve të mëlçisë, vetëvrasjeve tek meshkujt, kancerit tek gratë, sëmundjeve të tretjes dhe sëmundjeve të qarkullimit të gjakut. Ata që pinë tre deri në katër filxhanë kafe në ditë kanë rrezik më të vogël për vdekje të shkaktuar nga diçka sesa ata persona që nuk konsumojnë fare kafe, transmeton Koha.net.

Të dy studimet janë publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine”.

“Kemi studiuar disa vende nëpër Evropë, ku mënyra se si popullatat e pinë kafenë dhe e përgatisin kafenë është shumë e ndryshme”, ka thënë Marc Gunter, lexues në epidemiologjinë dhe parandalimin e kancerit në “Imperial College’s School of Public Health” në Britani të Madhe, i cili është bashkë-autor i studimit evropian.

“Fakti se pamë të njëjta marrëdhënie në vende të ndryshme është një lloj implikimi se ka të bëjë me kafenë sesa me mënyrën se si e përgatisin kafenë apo me mënyrën se si pihet ajo”, ka thënë ai.