Durrësi është qyteti në Shqipëri që prej vitesh tashmë, mirëpret numrin më të lartë të personave që vijnë nga Kosova për të kaluar pushimet në qytetin bregdetar.

Megjithatë, si asnjë vit më parë, këtë sezon veror është hasur një problematikë e re. Ky qytet nuk ka mundësitë për të përballuar autobusët e shumtë që vijnë me pushues nga Kosova, dhe për këtë arsye, ka bërë devijim të rrugës, duke i penguar ata të hyjnë në qytet përmes Urës së Dajlanit, dhe duke i vënë rrugë alternative hyrëse Unazën e Durrësit. Një devijim që mund të konsiderohej zgjidhje, por lajmërimi publik për këtë ndryshim të destinacionit të autobusëve, ka qenë tepër i vonuar.

Dhe aq më keq akoma.

Në këtë situatë ka edhe diskriminim.

Gjatë ditës së djeshme, prefekti i qarkut të Durrësit, Emiljan Jani, tha në një intervistë për mediat se pengesa për të hyrë në qytet nga Ura e Dajlanit, është vetëm për autobusët e Kosovës, dhe jo për automjete që sjellin pushues nga vende të tjera, kjo me argumentin se ata janë më të paktë në numër. Sipas Janit, autobusët e turistëve nga Kosova duhet të kalojnë nëpër unazën e plazhit dhe të mbërrijnë nëpërmjet rrugëve dytësore të kësaj zone në afërsi të rrugës “Pavarësia”. Ai shton se ka vendqëndrime autobusësh në zona të tjera të Durrësit që nuk bllokojnë trafikun rrugor.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Adriatik Kelemendi, një gazetar i njohur në shtetin fqinj, thotë se logjika që përdor prefekti i Durrësit për të mos lejuar autobusët me targa Kosove sepse janë të shumtë, dhe ata me targa të huaja t’i hapen “portat”, është diskriminim racist, transmeton Express. Zgjidhja që Kelmendi sheh, është që kosovarët të bojkotojnë Durrësin si qytet për të kaluar pushimet verore.

“Logjika idiote e këtij kryetarit të Durrësit: Turistë nga Kosova ka shumë për këtë arsye autobusët nga Kosova duhet të mos lejohen në rrugën afër plazhit, kurse turistë të tjerë ka pak, për këtë arsye të gjithë autobusët me targa jokosovare do të lejohen!  Le t’i tregojë dikush këtij hajgarexhiu se ky vendim përveç se është diskriminim “racist” është edhe absurditet ekonomik. Derisa të kthjellet ky farë kryetari, kosovarët mund t’i zgjedhin vendet e tjera nëpër bregdetin e Shqipërisë dhe t’ia bojkotojnë e lejnë krejtësisht Durrësin atij për vete, e ai mund të kënaqet me pakicën – “turistët e huaj”. S’ka pse turistët nga Kosova t’ia marrin inat gjithë bregdetit të Shqipërisë për shkak se në krye të Durrësit paska qëlluar një kryetar trupeshk (po i përshtatet kjo “trupeshk” meqë po flasim për det)!”, – shkruan gazetari i njohur nga Kosova në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, në një reagim që Policia e Durrësit pati disa ditë më parë pas shqetësimit të ngritur, u tha se Policia Rrugore zbaton sinjalistikën, sipas të cilës, nuk lejohet qëndrimi i autobusëve dhe furgonëve në rrugën “Pavarësia”, pasi bllokon trafikun.

Në këtë reagim policia theksoi se masa nuk është vetëm ndaj pushuesve që vijnë nga Kosova, por mesa duket Prefekti disa ditë më vonë e ka thënë hapur se masa devijuese e qarkullimit, është bërë qëllimisht vetëm ndaj autobusëve me targa të Kosovës.

Ndërkohë, me nisjen e punimeve në rrugën e plazhit, Bashkia e Durrësit kishte njoftuar më herët, se autobusët e turistëve pa destinacion parkimi në hotele, nuk do të lejohen të kalojnë në rrugën kryesore të plazhit me shpjegimin se bëhen pengesë për qarkullimin e automjeteve. Këta autobusë, do të orientoheshin drejt rrugëve dytësore.

Global