Tre efektivë të policisë së Durrësit janë pezulluar nga detyra, pas një videoje të publikuar në media, ku shihen duke goditur dy persona brenda një fugoni policie.

Lajmi konfirmohet nga Policia e Durrësit, përmes një njoftimi për mediat. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për të verifikuar veprimet e punonjësve të policisë nëse ka apo jo tejkalim të detyrës.

Reagimi

Në lidhje me një video të publikuar më rrjetet sociale ku paraqiten punonjësit e policisë duke shoqëruar dy persona në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, bëjmë me dije se:

Sot, rreth orës 17:30 Policia është njoftuar se ka një konflikt në Sheshin Pranvera.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, Patrulla e Rendit dhe Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë konstatuar se dy persona, shtetasit P.C. dhe R.B.  ishin konfliktuar me shtetasin I.M.

Ky i fundit kishte një kioskë në Sheshin Pranvera.

Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit P.C dhe R.B. kanë ofenduar shtetasin I.M. dhe dëmtuar kioskën e tij.

Të ndodhur në këto kushte Efektivet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës shtetasit P.C dhe R.B. , të cilët ishin në gjendje  të dehur.

Në momentin e shoqërimit dy shtetasit e lartpërmendur kanë kundërshtuar duke ushtruar forcë dhe  dhunë ndaj punonjësve të policisë.

Konkretisht, një punonjës policie është dëmtuar.

Sqarojmë se video e hedhur në rrjetet sociale është e pjesshme dhe nuk tregon të gjitha veprimet e kryera nga Efektivet e Policisë gjatë shoqërimit.

Për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale  është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Vijon puna nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë me qëllim hetimin e paanshëm të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të saj.

Në lidhje me veprimet e punonjësve të policisë me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë është bërë pezullimi i tyre, konkretisht janë pezulluar 3 punonjës policie.

Ndërkohë,  Drejtoria e Standarteve Profesionale  me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për të verifikuar veprimet e punonjësve të policisë nëse ka apo jo tejkalim të detyrës.