Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë dje një përgjigje për çështjen  e stadiumit ku do të luhet ndeshja e Kombëtares kundër Maqedonisë. Në një intervistë për “SuperSport”, numri një i institucionit të futbollit ka komentuar kështu:

MAQEDONI-SHQIPËRI

“Ne e kemi kundërshtuar faktin që duhet të luajmë atje. Sipas informacioneve që kemi, është stadium i papërshtatshëm që nuk ofron kushte sigurie dhe nuk na bind që në Shturmicë qeveria apo federata maqedonase jep më shumë siguri sesa në Shkup. Ne mendojmë që në Shkup ka më shumë siguri, pasi është kryeqyteti i vendit, ka stadium më të kontrollueshëm dhe më të organizuar.

Aq më shumë ka edhe më tepër spektatorë, pasi është ndeshje me shumë interes nga të dyja tifozëritë. Ne e kemi kundërshtuar, por nuk është kompetencë e jona për të vendosur. Me një shkresë të mëparshme kundërshtuam kur u hodh si ide që do të ishte Shturmica. Më pas na u tha se, nëse Federata Maqedonase do të plotësojë disa kushte, ndeshja do të luhet atje.

Së fundmi, me këto argumente, i kemi shkruar edhe një letër presidentit të UEFAs: Ne nuk besojmë që në Shtrumicë ka më shumë siguri për ekipin apo spektatorët. Gjithashtu, edhe kapaciteti dhe kushtet që ka stadiumi. Në fund do të zbatojmë vendimin që do të marrë UEFA”.