Ish analisti Driton Selmanaj, tash pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se duhet një Qeveri, pjesë e së cilës nuk do të jetë Partia Demokratike e Kosovës dhe zhvatësit e shtetit. Ai i komenton përplasjet që u bën së fundmi ndërmjet partive politike. Flet edhe për blerjen e shitjen e votës, ndërkaq bën thirrje që të konstituohet sa më shpejtë Kuvendit.

Driton Selmanaj, deputeti i zgjedhur i LDK’së thotë se ditëve të fundit qytetarët e Kosovës janë ngarkuar me lloj – lloj shpifjesh e lloj-lloj përpjekjesh për pazaresh të ulta politike dhe shumë të rrezikshme për vendin

“Euu “poshtë ka ra katundi” thotë një fjalë e popullit tonë. Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës janë ngarkuar me lloj-lloj konspiracionesh, me lloj-lloj shpifjesh e lloj-lloj përpjekjesh për pazaresh të ulta politike dhe shumë të rrezikshme për vendin. Shtet-ndërtimin si proces, zhvillimin e Kosovës si domosdoshmëri dhe ecjen e shtetit tonë në binarë të qartë dhe të sigurt, e kemi zëvendësuar me lajme për protagonist të pavlerë, për sekser ordinere dhe për ndërmjetësues profiter. Kjo ka bërë që të krijohet përshtypja se të zgjedhurit e popullit (deputët) janë vënë në ankand publik dhe po presin Kush? dhe Sa? po ofron për ta blerë votën e tyre, moralin e tyre, dinjitetin dhe integritetin e tyre”, është shprehur ai.

Veprimet e tilla, sipas tij,  me ose pa vetëdije po e shkatërrojnë çdo koncept dhe parim të përfaqësimit, po fyen rëndë shumë qytetarë (votues) të Kosovës, po fyen çdo arritje të jetës institucionale tashmë të ndërtuar në vend.

Selmanaj bën të ditur se krejt çfarë i duhet shtetit në këtë kohë është kthimi tek përgjegjësitë shtetërore.

“Krejt çka i duhet tani vendit tonë, është që ti kthehemi institucioneve dhe përgjegjësive shtetërore e kushtetuese. Ta konstituojmë Kuvendin sa më shpejt që është e mundur, dhe më pas të ecim tutje në themelimin e qeverisë për ti dal në ballë sfidave të shtetit dhe problemeve që ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

Për shkatërruesit e shtetit, për zhvatësit e pasurisë publike, për ata që sakatuan ta tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend në përgjegjësitë ekzekutive në qeverinë e re të Kosovës. Prandaj një qeveri pa PDK-në do ti bënte nder vendit dhe të ardhmes së tij”, ka thënë ai.

Global