Mario është mjek shqiptar në Amerikë. Ai mendon se ka ardhur momenti të bëjmë për njëri – tjetrin më shumë se kurrë. Shqiptari për shqiptarin. Çdo vit vjen në atdhe dhe viziton njerëzit falas duke u bërë një shembull konkret i asaj që thotë.

Mario Ademaj nuk është një yll roku, edhe pse  i pëlqen të këndojë, herë pas here, siç bëri këtë verë, kur përjetoi  emocionet e dhëndrit. Në jetë bën mjekun. Pasioni i tij është bamirësia.

Mario dhe bashkëshortja e tij kanë ardhur nga Kalifornia e largët, ku jetojnë,  për të celebruar dashurinë në vendin e origjinës, në Shqipëri, te rrënjët e tyre.

Pas dasmës, tradita e do që çifti të shkojë në  muaj mjalti, por ka prioritete. Para muajit të mjaltit, Mario do të kryejë ritualin e përvitshëm – përgjatë një dite duhet t’u ofrojë banorëve të një qyteti vizita dhe medikamente falas.

“Mbarova shkollën e mjekësisë në Amerikë dhe mendova  se  duhet të bëja diçka për vendin  tim.” – thotë Mario.

Dy vite më parë, së bashku me disa mjekë vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria u ofroi shërbim banorëve të Pogradecit.

“Aty brenda një dite erdhën 2000 pacientë, të cilët nuk kishin parë doktor me sy, gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për arsye financiare”.

Këtë herë zgjodhi Shkodrën  dhe arriti të frymëzojë edhe vullnetarë të rinj.

“Për shoqatën dëgjova në rrjetet sociale. Mua më pëlqen puna vullnetare. Ishte një risi edhe për  qytetin  e Shkodrës, pasi nuk bëhen shpesh gjëra të tilla. Kjo është një eksperiencë shumë e mirë për mua”,- thotë një mjek vullnetar që i është bashkuar nismës së Marios.