Një grua në Tiranë është tmerruar nga loja që i ka bërë i biri.

Gjithçka ka ndodhur gjatë së shtunës, kur djaloshi J.N., 13 vjeç është larguar nga shtëpia. Nëna e tij M.N., 46 vjeçe banuese në Tiranë është paraqitur në polici gjatë ditës së djeshme, për të denoncuar zhdukjen e të birit.

Ajo ka thënë se i është larguar nga banesa djali i mitur J.N., i cili kishte lënë një letër.

Ishte pikërisht letra ajo që kishte shqetësuar gruan, pasi në të djali shkruante se kishte luajtur një lojë në internet, lojën “Balena blu” dhe se do kryente nivelin e fundit të saj, e cila ka të bëjë me vetëvrasjen.

E alarmuar gruaja kërkoi ndihmën e policisë. Adoleshenti u gjet me disa shokë të tij. Ai tha në polici se nuk e luante këtë lojë, por se kishte dashur të frikësonte nënën.

Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për vlerësim.