MPB tashmë tre ditë është vënë në kërkim të Goran Grujevskit dhe Nikola Boshkovskit. Jozyrtarisht, policia disa herë ka qenë në shtëpitë e tyre, por të njëjtit nuk i ka gjetur. Gjithashtu po kontrollohen edhe lokacione tjera në Shkup për të cilat ka indikacione se mund të jenë vendet e mundshme ku fshihen Grujevski dhe Boshkovski. Jozyrtarisht MPB ka kryer kontroll edhe në terrenin e Mavrovës, ku nuk përjashtohet mundësia që të arratisurit të fshihen atje. Paraprakisht MPB kontrolle kreu edhe në qytetet e Ohrit dhe Velesit pasi këto vende mund të jenë vendstrehimet e mundshme të Grujevskit dhe Boshkovskit, pas të cilëve është lëshuar edhe urdhërrarresti ndërkombëtar. Dy të akuzuarit për përgjim jolegal, vendimin për paraburgim e kanë pritur në liri. 10 ditë ka zgjatur periudha ankimore që apeli të shqiptojë masën e paraburgimit. Supremja konfirmoi paraburgimin e Grujevskit dhe Boshkovskit, ndërsa për Toni Jakimovskin, ish shefin e kabinetit të Sasho Mijalkov është shqiptuar masë më e butë ku i është marrë pasaporta. Ai është drejtor i SELEK- organizatë ndërkombëtare kundër krimit me seli në Bukuresht të Rumanisë.

Ministri i brendshëm .Oliver Spasovski dje deklaroi se përgjegjësia për arratisjen e dy të akuzuarve duhet të kërkohet tek gjykata e cila 4 orë e ka dërguar vendimin e paraburgimit në MPB.

Ndryshe Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski akuzohen në rastet Fortesa dhe Target përmes të cilave Specialja duhet të zbuloj kush ka përgjuar në mënyrë ilegale në vend me vite të tëra. Përveç tyre për përgjim ilegal akuzohet edhe ish drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov nën komandën e të cilit kanë qenë Grujevski dhe Boshkovski. Për dallim prej tyre, Mijalkov mbeti vetëm pa pasaportë./Alsat-M/